Kur je i gatshëm të bësh gjithçka për të fituar... Ky është rasti i kampiones ruse të shahut Amina Abakarova, e cila pak para “Kampionatit të shahut të Dagestanit” helmoi me merkur rivalen e saj të fëmijërisë, Umayganat Osmanova.
Ajo që e tradhtoi ishte sistemi i kamerave i cili filmoi çdo moment të kalimit të saj pranë tavolinës së shahut të Osmanova.
Arsyeja? “Armiqësia personale”, rrëfeu Abakarova. Një armiqësi e lindur, sipas policisë, nga një disfatë në një ndeshje rajonale.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, komentoi Malcolm Pein, drejtor i shahut ndërkombëtar për Federatën Angleze të Shahut.
Në video shihet Amina duke nxjerrë një epruvetë nga çanta, teksa derdh përmbajtjen e saj.
Sipas raportimeve në mediat britanike, gruaja e akuzon Osmanovën për sjellje të vrazhdë ndaj saj dhe të afërmve të saj. Për këtë arsye i lindi ideja për ta ndëshkuar me merkur të marrë nga një termometër.
Por të përzierat dhe marramendja që preku lojtaren nuk e penguan që të përfundonte garën, e cila u zhvillua në Makhachkala, në Rusinë jugore, made Osmanova u shpall fituese në përballjen e javës së kaluar.
“Ne kemi prova filmike që Amina Abakarova aplikoi një substancë të paidentifikuar, e cila më vonë doli se përmbante merkur, në tryezën ku Umayganat Osmanova duhej të luante kundër saj”, zbuloi Sazhid Sazhidov, kreu i Kulturës Fizike dhe Sporteve të Republikës Ruse të Dagestanit.
Ngjarja u raportua nga gjyqtari i turneut dhe pamjet e kamerave mbyllën me shpejtësi hetimet.
Një histori që la pa fjalë botën e shahut. Abakarova krenohej me një karrierë shumë të respektueshme. Të habitur kanë mbetur edhe miqtë e kampiones, të cilët e kanë cilësuar sjelljen shumë larg personalitetit të saj.



