
Kreu i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën tha të martën se zyrtarët shëndetësorë po e drejtojnë vëmendjen e tyre ndaj shkallës në rritje të infeksionit COVID-19 në Evropën Lindore, ku gjashtë vende, përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, kanë parë një dyfishim të rasteve gjatë dy javëve të fundit.
Dr. Hans Kluge tha se rajoni me 53 vende, i cili shtrihet në ish-republikat sovjetike në Azinë qendrore, tani ka numëruar më shumë se 165 milionë raste të konfirmuara të koronavirusit dhe 1.8 milionë vdekje të lidhura me pandeminë, përfshirë 25,000 vetëm në javën e fundit.
"Sot, fokusi ynë është drejt lindjes së rajonit evropian të OBSH-së", tha Kluge në një konferencë për media, duke treguar një rritje të variantit Omikron shumë të transmetueshëm.
Gjatë dy javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë dyfishuar në gjashtë vende në këtë pjesë të rajonit (Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Federatën Ruse dhe Ukrainë). Siç pritej, vala e Omicron po lëviz drejt lindjes: 10 shtete anëtare lindore e kanë zbuluar tani këtë variant.
Megjithatë, Omicron është më i butë se variantet e mëparshme dhe sistemet e kujdesit shëndetësor në shumicën e vendeve të botës nuk janë nën tendosje.
Kluge ka thënë se ritmi i vaksinimit është relativisht i vogël në disa pjesë të këtij rajoni. Më pak se 40 për qind e personave mbi 60-vjeç janë vaksinuar plotësisht në Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kirgizi, Ukrainë dhe Uzbekistan.
Ai ka shtuar se në Bullgari, Gjergji dhe Maqedoninë e Veriut më pak se 40 për qind e punëtorëve shëndetësorë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.
Kluge tha se duke pasur parasysh shtrirjen e variantit Omicron dhe qarkullimin e variantit Delta në lindje, tani nuk është koha për të lehtësuar masat që dihet se funksionojnë në luftim të pandemisë.
Sipas tij, në mesin e këtyre masave përfshihet shmangia e ngjarjeve me shumë persona, vendosja e maskës në ambiente të brendshme dhe kryerja e testeve të shpejta për të identifikuar sa më herët rastet e infektimit.



