
Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje! Pas SHBA, është Bashkimi Europian që ka bindur dy vendet të bashkëpunojnë për të mos filluar konfliktet për shkak të reciprocitetit.
Lajmi u dha pasditen e 27 gushtit nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell i cili deklaroi se ishte Serbia që kishte rënë dakord të shfuqizonte dokumentet hyrëse e dalëse për qytetarët e Kosovës dhe nga ana tjetër Kosova që do të zbatojë reciprocitetin për qytetarët serbë.
Në një videomesazh, Borrell theksoi se marrëveshja u arrit me mbështetjen e SHBA teksa i bëri thirrje Vuçiç dhe Kurtit të vijojnë në këtë rrugë.
‘Jam i lumtur të njoftoj që pas takimeve të javës së kaluar në Bruksel dhe përpjekjeve të vazhdueshme të BE këto ditët e fundit, më në fund kemi një marrëveshje për lëvizjen e lirë mes Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Serbia do të lejojë qytetarët nga Kosova të lëvizin me kartat e tyre të identitetit, po ashtu dhe Kosova nuk do ndalojë qytetarët nga Serbia, e njëjta dhe për serbët e Kosovës. BE ka marrë garanci nga liderët.
Nga ana tjetër, i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak me një status të shkurtër në Twitter vendosi të falenderojë Zëvendës-Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe diplomacinë e SHBA për mbështetjen.
Kjo marrëveshje vjen vetëm 4 ditë para se të përfundonte afati i 1 shtatorit përpara se qeveria e Albin Kurtit në Kosovë të rivendoste reciprocitetin çfarë mund të sillte tensione në veri të vendit.



