Bashkia e Tiranës hapi sot garën për ndërtimin e një Terminali të ri të Transportit Publik, nëpërmjet koncesionit me Partneritet Publik Privat (PPP) në njoftim të shpallur në Agjencinë e prokurimit Publik.
Terminali do të jetë i vendosur në një sipërfaqe 85,000 metra katrorë përgjatë Autostradës Tiranë- Durrës dhe vlera e investimi parashikohet 15,5 milionë euro. Bashkia e Tiranës i ka ftuar Operatorët Ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare tenderimi për Partneritetin Publik Privat, për hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të Terminalit të Ri dhe mirëmbajtjen, si dhe menaxhimin e mëvonshëm.
Bashkia e Tiranës sqaron se autoriteti kontraktor do të marrë parasysh vetëm ofertat e atyre tenderuesve apo konsorciumet e tenderuesve, të cilët kanë kaluar kufijtë minimalë, të përcaktuara në kriteret e kualifikimit. Autoriteti Kontraktor do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë, vendosur për gjatë korridorit kryesor që çon në veriperëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit, truall i cili do t’i kontraktohet në baza afatgjatë ofertuesit fitues për të ndërtuar, për të operuar dhe për të ruajtur terminalin për të mirën e operatorëve dhe udhëtarëve.
Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqëndrimit të autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë, dhe tarifat e parkimit, do të arkëtohen nga kompania që do të fitojë garën për ndërtimin e terminalit. Bashkia e Tiranës përcakton se tenderimi për kontratën është i hapur për firmat dhe sipërmarrjet e përbashkëta të firmave të çdo vendi të cilat plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara në Shtojcën 9, e cila nuk është bërë publike.



