Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga qytetarët në veri të lejohet lëvizja e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë se “prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”.
KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit, ku, më 10 dhjetor, janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal, pas arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.
Pantiç akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.
Lista Serbe ka bërë thirrje drejt qytetarëve për “paqe dhe vetëpërmbajtje”, teksa Policia e Kosovës ka shtuar së fundi prezencën në veri, me qëllim të, siç është thënë “sigurimit të qytetarëve”.
Policia e Kosovës ka raportuar gjithashtu për shtënie me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë. Këto sulme i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po punon me KFOR-in për ta adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”, por ka cilësuar se për tensionimet e fundit në veri nuk ka “pretekst”.



