Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se nuk ka asnjë logjikë ekonomike të shlyhen me paratë e buxhetit të shtetit pagat e një kompanie private. Në një analizë në studion e TvT lidhur me situatën e krijuar me naftëtarët e Ballshit, Tomorri tha se përgjegjësinë për situatën e krijuar duhet ta mbajnë ata që kanë shkaktuar borxhin.
“Nëse qeveria ka vendosur të japë pagë për punonjësit, atëherë minimalisht duhej të kishin nisur procedurat e sekuestrimit të kompanisë. Nuk mund të jepen para nga buxheti i shtetit për të paguar pagat e një kompanie private dhe ndaj saj të mos merret asnjë masë. Nuk shoh asnjë logjikë ekonomike dhe ligjore ne këtë veprim”, tha ai.
Sa i takon dështimit të shoqërisë shtetërore të naftës, Albpetrol, për të dalë në tregjet ndërkombëtare, pasi në ankandin e fundit nuk u paraqit asnjë ofertues, Tomorri tha se ky nuk është dështimi i parë.
“Nuk është dalje në tregje ndërkombëtare, me të kuptojmë kur një kompani del në treg për të marrë hua. Mesa duket këtë herë nuk ka pasur kërkesë apo interes nga kompanitë për ta blerë. Kjo nuk është hera e parë që dështohet. Është një praktikë nga kompanitë që blejnë naftën për të ulur çmimet. Është një procedurë paksa e dyshimtë, pasi Albpetrol nuk shiste naftë vetë. Çmimi me të cilin Albpetrol e shet naftën është më i ulët se ai në bursë, çka përbën dëm për interesat e kësaj kompanie. Ajo është në situatë të vështirë financiare, saqë para disa muajsh ka marrë borxh për të paguar punonjësit. Bëhet fjalë për një kompani që menaxhon burimet”, tha ai.



