Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, me buqetë me lule të kuqe në duar ka vizituar sot spitalin Infektiv në Tiranë ose quajtur ndryshe ‘Covid-1’.
I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, kryeministri Rama është parë të përkulet para 20 punonjësve të personelit shëndetësor për të vendosur buqetën me lule që kishin dalë për ta pritur.
“Si askush sot mjekët e infermierët e spitaleve Covid janë mishërimi i kësaj feste të Rilindjes pas Sakrificës Sublime, në luftën e paepur me vdekjen në trupin e njerëzve dhe si kurrë më parë sot, figura e tyre është njehsuar me shërbëtorët e sublimes në zemrën, mendjen e në përkushtimin e njeriut për tjetrin”, shprehet kryeministri Rama.
Kryeministri Rama ka zbuluar se vaksinimi për personelin mjeksor do të bëhet në një ambient të përshtatur në stadiumin “Air Albania", pasi sipas studimeve është më mirë që të bëhet në ambient të hapur.
“Edhe shtetet e mëdha dozat që po marrin janë shumë më pak se ishte parashikuar. Për fillimin është problem. Unë kam folur me disa kryeministra këto ditë dhe shifrat janë shumë më pak se kishin premtuar ata. Ne jemi në komunikim me disa nga shtetet dhe pavarësisht marrëveshjes me kompaninë e Pfizerit jemi shumë afër edhe me AstraZenec-ën dhe Modernën. Dhe pastaj duhet që të merren vesh shteti me shtetet e tjera. Bullgaria do japë për Maqedoninë e Veriut njësoj si për ne 100 doza. Kemi shumë besim që për ekipin e Infektivit që do të jetë i pari që do të vaksinohet do të jetë shumë shpejt.
Do të financojmë një projekt te stadiumi te Air Albania për të vendosur ekipin që do të bëjë vaksinën. Pasi thuhet se vaksina duhet të bëhet në mjedis të hapur. Shumë shpejt do fillojmë me vaksinim. Do vazhdojmë me të gjithë mjekët, mësuesit dhe punonjësit e policisë. Të gjithë thonë se në Mars-Prill dozat do vazhdojnë jenë shumë dhe do ketë dhe teprica”,- tha Rama.
Më tej Rama bëri të ditur se QSUT do të rindërtohet, pas mbarimit të kësaj pandemie.
"Mesa duket kjo godinë do do e mbylli në mënyrë të lavdishme mision e vet se mbas kësaj lufte do të bëhet godina e re, apo jo",- tha Rama.
Lajmin e konfirmoi edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
"Po. Ky është lajmi në fakt. Me miratimin edhe të kredisë së bankës Botërore, tashmë Infektivi është përfshirë në planin tonë për t'u rindërtuar edhe me standardet më të mira. Kështu që vitin tjetër duke shpresuar që pandemia të mos ketë këtë kurbën e madhe, patjetër që do të lehtësojë",- tha Manastirliu.
Spitali Infektiv është i pari që u hap për pacientët me COVID-19 në Shqipëri në fillim të pandemisë.
Mësohet se personelit shëndetësor i janë dhënë disa pako si dhuarata për Krishtlindje.
Rama ka përshëndetur me dorë edhe familjarët e pacientëve jashtë spitalit.



