
Aktivisti Adriatik Lapaj deklaroi në MCN Live se është kundër ndërtimeve pa leje pavarësisht vlerave që mund të ketë një objekt i caktuar.
Lapaj vuri në dukje se dikur ishin qytetarët që ndërtonin pa leje, tani ndërtojnë njerëz të fuqishëm dhe për të bërë biznes.
Sa i përket paketës anti-krizë Lapaj tha se kemi të bëjmë vetëm me indeksime të pamjaftueshme.
Aktivisti konsideroi si të domosdoshme të drejtën për referendume dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor për hapjen e garës.
Në një koment mbi trafikun në Tiranë Lapaj tha:
Ka një keqndërtim thuajse në çdo sektor. Shqipëria është në një rreth vicioz sepse e ka monopolizuar vendimmarrjen. Grupet ekonomike e kanë orientuar pushtetin në disa duar dhe nuk ka kontroll. Statistikisht ne kemi më pak automjete se të gjitha vendet e BE. Trafiku këtu s’vjen si pasojë e numrit të madh të makinave ,por për shkak të zhvillimit kaotik. Ku ndërton një kullë ku strehohen 2 mijë vetë. Ku lë të njëjtën infrastrukturë si në kohën e parafabrikatëve, si në kohën e mbretit Zog!”
Aktivisti theksoi se duhet të ketë një fund të ndërtimeve pa leje në Shqipëri, pasi nuk ndërtohet Republika sipas gustove prsonale të njerëzve.
Unë jam kundër ndërtimit pa leje, është vepër e rëndë penale. Mos kontrolli i territorit është një nga gabimet e mëdha që ka shoqëruar qeveritë shqiptare gjatë tranzicionit. Jam i bindjes që nga ndërtimet pa leje duhet të ndahemi një herë e përgjithmonë. Të ketë një pikë kritike dhe të mos ketë asnjë diskutim, jo zgjatje afatesh jo… Fakti që këta guxojnë të ndërtojnë pa leje për biznes, do të thotë që arrijnë t’i bëjnë të ligjshme rrugës. Këta i formalizojnë përmes hapësirave që ligji lejon se kot s’i bëjnë ata. Kjo historia që shtohen afate, shtyhen afate, lihen artifica, jo! Bëmë ç’bëmë në vitet e tranzicionit, tani duhet të ketë një fund. Objekti duhet të prishet pavarësisht vlerës, qoftë 100 milionë euro. Shumë njerëz nuk ndërtojnë dot në tokat e tyre! Marrja e lejes kalon në 100 procedura. Kushdo që shkel ligjin dhe nuk zbaton lejen, duhet që objekti të eliminohet. Ndërtimi pa leje është si të jetosh në një pallat, njëri ta nxjerrë ballkonin andej, tjetri këtej. Nuk ndërtohet Republika ku secili ta bëjë sipas gustove të veta. Ka plan urbanistik. Shikoni si duket Shqipëria nga avioni, s’ka vend në botë. Kemi kaluar në një fenomen, ku ndërtonin qytetarët e thjeshtë pa leje, tani ndërtojnë njerëz të fuqishëm”.
Lapaj tha se shteti ka përfituar 500 milionë euro plus nga TVSH-ja pas rritjes së çmimeve duke shtuar se një pjesë e mirë e këtyre parave duhet t’u kthehen mbrapsht qytetarëve.
Këto s’janë masa konkrete, janë indeksime. Kjo as inflacionin nuk indekson. Unë mendoj që janë pak, janë të pamjaftueshme. Ka një logjikë të thjeshtë ekonomike. Kam kuptuar që ekonomistët thonë që nga të dhënat fiskale rezulton që shteti nga rritja e çmimeve arkëton më shumë TVSH, mbi 500 milionë euro plus. Janë para e përfituar në mënyrë të padrejtë. Në një masë të madhe të mos themi të gjitha i duhen rikthyer publikut pas. Duhet ndihmuar edhe shtresa e mesme, se nuk mban më. Ndihmat duhet të prekin çdo fashë të popullsisë. Ti mund të thuash nëse nafta kalon mbi 200 mijë lekë unë s’mund të vjelë më TVSH. Paketa 54 milionë euro, është shumë e vogël. Do të duhet të qe më e plotë. Për sa kohë që s’kanë përballë një rrezik real që i cenon pushtetin, ata edhe kaq e mendojnë se është shumë”.
Lapaj tha se protestat janë lajm i mirë në vendet ku abuzimi me pushtetin është i dukshëm, por kanë fuqi më të madhe kur dalin nga spektri politik.
Rruga e parë të miratojmë një ligj për referendumet, për të sfiduar qeveritë, dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe hapja e garës”.



