
Mbrëmjen e së shtunës është arrestuar pronari i lokalit Monopol, ku ndodhi edhe ngjarja e 4 tetorit ku humbi jetën Fabian Gaxha, dhe u plagosën dy të tjerë. Shtetasi Redi Popesku, është ndëshmitari kyç i ngjarjes i cili ka dëshmuar menjëherë pas konfliktit, ndërsa tashmë policia e ka arrestuar për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.
Dyshohet se Popesku ka prishur provat duke fshehur armën e Ervis Martinaj dhe ka penguar hetimin në zbardhjen e të vërtetës duke dhënë dëshmi të rreme. Për degradimin e situatës deri në përleshje me armë shkak mendohet të jetë bërë këngëtarja Elvana Gjata, e dashura e Ervin Matës, ky i fundit ka kërkuar sqarim për një ngacmim që i është bërë këngëtares në fjalë.
Këto rrethana i ka shpjeguar në polici, Redi Popesku, i cili ka thënë se Ervis Martinaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë ka ardhur të takonte miqësisht Ervin Matën që ishte me oficerin Mevjol Billo. Popesku ka shpjeguar se pasi po flisnin të katërt personat që shoqëronin Martinajn i janë drejtuar oficerit Mevjol Billo, duke i thënë: “Pse më shikon…moment ku filloi edhe përplasja fizike, që sipas tij Martinaj dhe Ervin Mata u përpoqën t'i qetësonin, ndërkohë që njëri nga këta persona, që ai thotë se ishte me kapuç, ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar.
Të tjera detaje Popesku s’ka mundur të shohë, pasi është futur pas banakut. Vrasja në Bllok tronditi opinionin publik dhe për të sqaruar më tej rrethanat në kërkim u shpall edhe Elvana Gjata për të dhënë dëshminë e saj lidhur me ngjarjen.



