
Donald Trump pranoi ftesën e mbretëreshës Elizabetë për të vizituar Britaninë në qershor, duke u bërë presidenti i tretë i ShBA-së që i bëhet ky nder nga monarkja.
Vizita me sa duket do të ngjallë kundërshti meqë shumë britanikë nuk e pëlqejnë presidentin amerikan dhe i refuzojnë politikat e tij mbi shumë çështje, sidomos emigracionin.
Protesta me dhjetëra mijëra demonstrues i ranë ndesh vizitës së Trump-it korrikun e shkuar. Protestuesit janë shprehur se edhe kësaj radhe do të përsëritet e njëjta gjë, madje në përmasa më të mëdha.
Sipas kryeministres Theresa May, kjo vizitë do të jetë një mundësi për të forcuar lidhjet mjaft të mira të të dyja vendeve në fusha si: tregtia, investimet, siguria dhe mbrojtja.
Trump-i dhe gruaja e tij Melania do ta vizitojnë Britaninë në datat 3-5 qershor.
Sipas Pallatit Mbretëror, detaje më të hollësishme të kësaj vizite do të jepen në një lajmërim të dytë.



