
Gazetari Andon Kello raporton nga Himara, në ditën kur Këshilli Bashkiak i Himarës do të mblidhet sot dhe të vendosë me votë se cili prej dy nënkryetarëve, Pervin Gjikuria apo Blerina Bala do të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja.
Në një lidhje për MCN Live, ai tha se në ambientet e stadiumit të Himarës ku zhvillohen zakonisht mbledhjet e Këshillit Bashkiak, mbahet mbledhja e ditës së sotme, pasi si kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri edhe ai në detyrë Jorgo Goro ndodhen në burg.
Por këshilltarët opozitarë kanë kundërshtuar praninë e prefektit të Vlorës Vangjel Tavo, duke i kërkuar që të largohet. Madje në një moment ka pasur tensione me qytetarët ku njëri prej tyre ka shtyrë zotin Tavo, dhe ky i fundit i është kundërpërgjigjur që të mos e prekë dhe më pas, prefekti i Vlorës është detyruar të largohet.
Krahas tij për të ndjekur mbledhjen ka mbërritur edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, të cilit gjithashtu i kërkohet të largohet.
Të pranishmit kërkojnë edhe largimin e policisë.
Një qyetar tha për MCN, se bashkinë duhet ta drejtojë Fredi Beleri si i zgjedhur, ndërsa të tjerë thonë se Himara ka zot.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak është e hapur dhe gjatë saj do të vendoset se cili do të jetë fati i bashkisë Himarë për 6 muajt e ardhshëm.
Kello raporton se Blerina Bala është kandidate potenciale që pritet të propozohet nga Partia Socialiste për të marrë drejtimin e bashkisë.
Ndërkohë Partia Demokratike kërkon miratimin e një anëtari opozitar të Këshillit Bashkiak të “Bashkë Fitojmë”, të emërohet kryebashkiak në detyrë për gjashtë muajt e ardhshëm.
E pranishme është vetëm nënkryetarja e bashkisë Himarë, Blerina Bala, e cila me të gjitha gjasat do të konfirmohet kryebashkiake në detyrë.



