Në varrezën masive afër Rashkës së fundi janë zbuluar mbetjet mortore të disa shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Nga Serbia, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kanë pohuar për mediat vendase gjetjen e fundit të një varreze të tillë dhe flasin për një numër mbetjesh mortore të potencialisht 15-17 trupave.
Në një prononcim për TvT.al, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, konfirmon gjetjet në këtë varrezë masive, porse shprehet se për shkak të ankthit dhe pritjes mbi 20 vjeçare të familjarëve, nuk preferon të përmendë shifra dhe lokacionin se nga cili vend i Kosovës janë të vrarët.
“Derisa nuk përfundon kërkimi i plotë në këtë lokacion, derisa të mos merren mostrat e ADN-së nga eshtrat, derisa të mos arrijmë deri te përputhja e tyre me mostrat e gjakut të familjeve, nuk mund të them me siguri se kujt i përkasin ose rajonin se nga vijnë, sepse dëshiroj t'i kursej familjarët nga dhimbja, të cilët edhe ashtu janë në ankth të pritjes që 20 vite pas luftës”, thotë drejtori i Mjekësisë Ligjore.
Gërxhaliu, njeriu i cili që pas luftës së Kosovës, ka punuar intensifikisht për zbulimin e varrezave masive me shqiptarë në Serbi, sqaron më tej, se i tërë procesi i identifikimit, përkatësisht procedura, mund të zgjasë me muaj, deri në riatdhesim dhe rivarrosje të mbetjeve në Kosovë.
“Kohëzgjatja e procedurës së punës mund të shkojë me muaj të tërë. Pas mbledhjes së mbetjeve kockore, ne i punojmë ato në vend në tenda, dhe pas dërgimit në ICMP për analiza, më pas në identifikim, organizohet mundësimi për riatdhesim në Kosovë”.
Mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu, pohon se janë në proces identifikimi edhe varreza të tjera masive në Serbi, porse për shkak të procedurës së punës, nuk bëhen të ditura për momentin, pa u përfunduar procesi i riatdhesimit të mbetjeve mortore të shqiptarëve të Kosovës nga Krizhevaku i Rashkës së Serbisë.
Pas luftës së Kosovës në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku janë futur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.



