
Zëvendësndihmës sekretarit amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha sot nga vizita zyrtare në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.
Lidhur me këtë proces, i cili me gjasë do të nisë për pak ditë në Bruksel, për analistin Dorajet Imeri, është rikonfirmim i SHBA, e cila pret përfundimin e bisedimeve, me njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Ky epilog është i qartë dhe është thënë edhe në letër, ka rikonfirmuar se SHBA presin që dialigu duhet të përfundoj me njohjen e Kosovës nga Serbia, porse se sa është e realizueshme, do ta shohim nga pozicionet nga palët në negociata”.
Po cili është kompromisi apo kostoja për hir të marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Analisti Imeri, thotë se në këtë rast, më shumë se sa ideja për shkëmbimin e territoreve, në këtë rast, mund të jetë një kompromis lidhur me krijimin e një Asosacioni të komunave serbe në Kosovë.
“Konsideroj se për momentin, shkëmbimi i territoreve, nuk është një ndër alternativat. Por do të jetë ideja për krijimin e Asosacionir të komunave, kjo mund të jetë kompromisi në këtë marrëveshje, por nuk e di se sa palët janë të angazhuara për ti shkuar drejt kësaj marrëveshjeje, që do të cilësohej edhe çdo kompromis që shkon përtej Pakos së Ahtisarit, që do ta bënte edhe më të dhimbshme këtë proces”.



