Konflikti për pronën në Rrjoll të Shkodrës ka përshkallëzuar në dhunë të ashpër fizike mes banorëve dhe familjes Shpellzaj. Ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, reagoi publikisht, duke deklaruar se djali i tij u sulmua barbarisht nga banorët.
“Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, derisa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes.
Ai pretendon se djali dhe një shok i tij u sulmuan jashtë një televizioni, duke pësuar fraktura të rënda dhe duke kaluar natën në spital.
Banorët e Rrjollit, përfaqësuar nga Prekë Molla, e mohuan këtë version, duke thënë se djali i Shpellzajt e kishte provokuar situatën dhe më pas, i shoqëruar nga 10-15 persona të armatosur me shkopinj bejsbolli, sulmoi banorët.
“Situata provokoi banorët e tjerë të pranishëm, disa prej tre mbetën të lënduar… Djali i Shpellzajt dhe shokët e tij e kanë nisur konfliktin”, tha Molla, duke publikuar edhe foto të dëmtimeve në automjetin e tij.
Ngjarja po hetohet nga policia, ndërsa palët janë shoqëruar dhe më pas liruar. Përplasjet mes banorëve, Shpellzajt dhe investitorit Bashkim Ulaj për tokën, vijojnë prej më shumë se një muaji, me pretendime për falsifikim dokumentesh dhe grabitje prone për ndërtimin e një resorti luksoz.



