Gazetari Andi Bushati thotë se mesazhet e Azbi Spahiut për familjarët e tij pak para se të hidhej nga kati i njëmbëdhjetë shënojnë pikën e kthesës për zbardhjen e ngjarjes. Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, Bushati tha se në raste të ngjashme, policia tenton të fshehë të vërtetën.

Djali i një biznesmeni të fuqishëm përfshihet në një incident dhe incidenti tentohet të mbyllet. Këtu pavarësisht se duhet ta dënojmë me gjithë forcën, kjo është praktikë. Tentohet të fshihet e vërteta. Problemi fillon te hipoteza që është ushtruar presion mbi policin dhe ai si rezultat i këtij presioni është hedhur. Nëse ai ka çuar mesazhe te familjarët, ne mund të gjejmë aty përgjigjen. Ai mesazh është pika e kthesës për të zbardhur çështjen.

Që të prezumojmë çështjen e presionit ndaj Azbiut, atij mund t’i jetë kërkuar të ndryshojë dëshminë. Kjo që thuhet se ka prova të diskutimit të policit me familjarët, për një gazetar është e mjaftueshme për të hedhur hipotezë. Po të ishte për institucionet...

Jetojmë në një vend ku kur përmendet emri i një oligarku, mediat nuk flasin. Kur përfshihet një oligark, prokuroria është e predispozuar ta ndihmojë. Thyerja e normës është nëse ka pasur presion për të ndryshuar diçka, atëherë kjo është ana e errët e kësaj historie.

Nëse kolegët e kanë shitur policin, e kanë bërë nga presioni i dikujt që ka qenë i interesuar.