
Shqipëria mbetet vend i vështirë për të bërë biznes. Një raport i Departamentit të Shtetit, i cili citon investitorët e huaj, e vë theksin te korrupsioni, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave, si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.
“Investitorët, - thuhet në raport, - ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t'u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, - thuhet aty, - ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit”, citon raportin VOA.
Raporti ndalet në çështjen e koncesioneve ose PPP-ve (kontratat e partneritetit publik privat) në Shqipëri. Departamenti i Shtetit thotë se përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
Sipas raportit të DASH, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP vazhdojnë të jenë shqetësim. "Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017", thuhet në raport.
Tjetër pengesë për klimën e mirë të biznesit sipas raportit është e drejta e pronës, pasi në Shqipëri është e vështirë të marrësh një titull të qartë pronësie.
“Njerëz të paskrupullt, - thuhet në raport, - manipulojnë sistemin e korruptuar të gjykatave për të marrë titullin e pronësisë për toka që nuk janë të tyret; ndërkohë, agjencia e ngarkuar me prishjen e ndërtesave të ngritura në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat”.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International për vitin 2017 e rendiste Shqipërinë në vendin e 91 nga 180 vende, një rënie prej tetë vendesh nga një vit më parë. Si e tillë, Shqipëria tani perceptohet si vendi i dytë më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria, thotë raporti, vazhdoi të paraqitet dobët në fushën e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës dhe përftimit të energjisë elektrike.



