
Për herë të parë, shtëpia e Zhulietës në Verona do të kthehet mirëfilli në një dhomë hoteli. Një çift të dashuruarish mund të kalojnë natën e Shën Valentinit në vendin që i dedikohet historisë më të famshme të dashurisë në botë.
Ky është projekti i Airbnb, kompania globale e udhëtimeve që pas përvojës së parë në Luvër, ka zgjedhur Veronën për fushatën e radhës, që do të përfshijë mbi 20 vende në mbarë botën nesër.
Komuna e Veronës e sheh këtë nismë si një promovim ndërkombëtar për turizmin që ofron qyteti. Shtrati i Zhulietës u krijua nga mjeshtri Renzo Mongiardino dhe u përdor në skenografinë e filmit "Romeo dhe Zhulieta" të Franco Zeffirelli.

Si të merrni pjesë
Çdo vit, mijëra letra nga e gjithë bota dërgohen në shtëpinë e Xhulietës. Kjo traditë historike – falë të cilës Verona është quajtur "qyteti i dashurisë" - mbahet gjallë nga OJQ Juliet Club, ekipi i vullnetareve të njohura si sekretaret e Zhulietës, u përgjigjet çdo ditë letrave të të dashuruarve nga e gjithë bota.
Për të fituar mundësinë e qëndrimit në shtëpinë e Zhulietës, kandidatët duhet t’i shkruajnë një letër Zhulietës duke i treguar historinë e tyre të dashurisë dhe duke shpjeguar pse ata do të ishin mysafirët e përsosur. Aplikimet mund të dërgohen në airbnb.com/juliet deri në 23:59 në 2 shkurt 2020.




