
Ajo që dukej e paimagjinueshme një vit më parë, sapo ka ndodhur. Një takim historik është cilësuar ai mes liderëve të dy Koreve në kufirin mes dy vendeve. Moon Jae-in dhe Kim Jong-un kanë rënë dakord në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për denuklearizimin e gadishullit korean. Ata janë dakorduar për reduktimin e arsenalit dhe tensioneve ushtarake, çka do të rikthejë paqen në gadishull.
Dy Koretë kanë rënë dakord për t’i dhënë fund armiqësisë disavjeçare me një traktat të vërtetë paqeje deri në vitin 2018. Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga udhëheqësit Moon Jae-in dhe Kim Jong-un. “E kemi pritur gjatë këtë ditë. Ne jemi një komb, dy vende fqinje”, ishte mesazhi i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. “Jemi vëllezër gjaku dhe bashkatdhetarë që nuk mund të jetojnë ndaras”, shtoi ai.
Marrëveshja e paqes mes dy vendeve pritet të jetë vijim i armëpushimit të vitit 1953, që i dha fund luftës mes dy Koreve, por tensionet dhe kërcënimet vijuan për vite me radhë.
Të tjera pika për të cilat dy liderët kanë rënë dakord, sipas BBC-së, janë:
T’u jepet fund veprimeve keqdashëse mes dy vendeve
Të ndryshohet zona e demilitarizuar që ndan vendin, duke u kthyer në “zonë paqeje” e duke ndaluar propaganda
Reduktim i numrit të ushtarëve në rajon dhe lehtësim i tensionit ushtarak
Vijimi i mëtejshëm i bisedimeve duke përfshirë SHBA-të dhe Kinën
Organizimi i ribashkimit të familjeve të ndara nga lufta
Lidhja dhe modernizimi i transportit me hekurudha dhe rrugë përgjatë kufirit mes dy vendeve
Pjesëmarrje e përbashkët në eventet sportive, përfshirë Lojërat Aziatike



