Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar gjatë ditës së sotme me ambasadorin rus, Alexander Bocan-Harchenko, ku kanë harruar rastin të flasin edhe për Kosovën.
Vuçiç dhe ambasadori rus kanë folur edhe për helmimin e 26 anëtarëve të KQZ-së, ku 11 prej tyre janë duke u trajtuar në QKUK. Presidenti i Serbisë ka ironizuar duke thënë se nuk e kishte ditur më parë se ekziston helm etnik. Ai tha se helmimi është një tjetër gënjeshtër nga Kosova.
“Vuçiç deklaroi se ai nuk e dinte se ekzistonte një helm që ishte etnik, por se ka vetëm helm gjithëpërfshirës. Gënjeshtrat e tilla mashtruese duhet të ndëshkohen për veprime të tilla”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Vuçiçit, raporton Telegraf.sr.
Dy ditë më parë 26 anëtarët e KQZ-së u helmuan në Kosovë pasi kishin hapur zarfet e votave nga Serbia. Nga 26 anëtarët e lënduar 11 prej tyre janë duke marrë ende tretman mjekësor, ndërsa në mesin e të helmuar janë edhe dy gra që kishin qenë shtatzënë.

Ndërkohë sot nga Klinika Infektive në Prishtinë kanë dal analizat e rezultateve të marra nga pacientët e helmuar ditë më parë gjatë numërimit të votave në KQZ.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj – Berisha, në një konferencë për media, ka thënë se rezultatet që i kanë marrë nga Instituti i Biokimisë, rreth zarfeve të ardhur me vota nga Serbia, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë agjenti infektiv, shkruajnë mediat kosovare.
“Për momentin me këto rezultate të strishove që janë marrë, përjashtohet që bëhet fjalë për një sëmundje infektive, në të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti Biokimisë. Kurse strishot e marra, që i kemi marrë sot rezultatet, edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjenti infektiv”, ka thënë ajo.
Tutje ka thënë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe se janë duke shqyrtuar lirimin e tyre për në shtëpi.
“Ne sikur edhe dje, edhe sot në klinikën infektive gjenden 12 pacientë. Gjendja e tyre është e mirë. Kur ta shohim të arsyeshme do t’i lëshojmë për në shtëpi. Prej rezultateve që i kemi marrë, është konfirmuar që nuk ka sindromë infeksioze”, ka shtuar ajo.



