Vullkani Kilauea në arkipelagun amerikan të Hawaii-t , një nga më aktivët në botë, shpërtheu sërish të dielën.
Lajmin e bëri me dije Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara.
Pas janarit dhe qershorit, kjo është hera e tretë këtë vit që vullkani shpërthen.
Vullkani ndodhet larg zonave të banuara, por shërbimet e urgjencës në Hawaii kanë paralajmëruar lëshimin e gazrave vullkanikë, veçanërisht të dioksidit të squfurit, i cili është irritues për sytë dhe traktin respirator, i cili mund të prekë banorët, të korrat dhe bagëtinë.
“Llava në Kilauea është e kufizuar dhe nuk përbën asnjë kërcënim për banorët. Megjithatë, shpërthimet lëshojnë grimca dhe gazra që mund të krijojnë probleme të frymëmarrjes", paralajmëroi instituti në X.



