
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ardian Shtuni përmes një lidhje “Skype” për MCN tha se megjithëse traktatet dhe konventat ndërkombëtare mund të shërbejnë si rregullues ato nuk mund të parandalojnë luftra të përgjakshme.
Teksa foli për luftën në Gaza, Shtuni tha se shihet një munges dëshire për paqe mes palëve. Ai tha se SHBA ka investuar kohë dhe resurse për të ndaluar konfliktin në Gaza, por nuk është arritur të gjehet një marrëveshje kjo për shkak se vendoset në pikëpyetje dhe ekzistenca politike e Netanyahut nëse ky i fundit bie dakord.
Intervista e plotë:
-Z. Shtuni që nga 7 tetori i vitit të kaluar, bota duket se ka marrë dëshminë e asaj çfarë mund të bëjë një fuqi ushtarake kundrejt një vendi të pambrojtur, edhe kur kjo fuqi cilësohet si demokratike. Për ta bërë pyetje direkte: a ka dështuar i gjitha kuadri moral dhe normativ i të drejtës ndërkombëtare në rastin e Luftës në Gaza?
Traktatet e konventat ndërkombëtarë dhe pse janë shumë të rëndësishme fatkeqësisht nuk mendoj se kanë arritur të parandalojnë lufta dhe të ndalojnë lufta kaq të përgjakshme dhe duke përfshirë atë të Gazës apo Ukrainës.
-Për herë të parë po duket se SHBA nuk po mundet, nuk dëshiron, ose nuk po e pyesin në ndërmjetësimin e vet për paqen ose edhe armëpushim. Nga buron arroganca e Netanyahut?
Nuk është hera e parë që kemi mungesë dëshire për të arritur minimalisht një armëpushim. SHBA kanë investuar shumë kohë për të gjetur një emërues të përbashkët mes tyre. Nuk është hera e parë që ka kokëfortësi për të arritur paqen.
SHBA ka investuar kohë dhe resurse dhe nuk kanë marrë rezultatin e duhur. Duhet durim dhe të vazhdohet në të njëjtin drejtim për të gjetur një formulë të përbashkët, por pritshmëritë e SHBA duhet ti ketë logjike.
Netanyahu gjendet me shpatulla pas muri dhe nuk është vetëm qasje politike, por dhe pragmatike sepse po i vihet ekzistenca në pikëpyetje.
Kjo nuk ndodhi brenda natës dhe nuk është vetëm çështje arrogance, por edhe mbijetese politike.
-Zoti Netanyahu vepron në kufijtë e mundësive të veta edhe në aspektin e brendshëm ku ka një shoqëri që sa vjen e zien. Për aq sa shohim dhe dimë; cili është objektivi real i Izraelit në këtë luftë?
Objektivi i Izraelit është shfarosja e Hamasit. Të shfarosës Hamasin është një synim i paarritshëm sepse nuk janë vetëm ata që mbajnë armët, por është një ideologji. Ky nuk është një konflikt me dy palë, ky është një konflikt rajonal dhe më gjerë. Është me intensitet të ulët, por ke shumë vatra zjarri dhe mund të çojë në një konflikt që mund të përhapet sepse ke probleme dhe me Libanin.
-Diçka për konfigurimin e fuqive të mëdha dhe rajonale në këtë konflikt: qëndrimi i Turqisë është ndër më radikalët, ndërkohë që Rusia ka qenë më neutrale, por priti Mahmoud Abass në Kremlin. Ka një retorikë civile nga BE që nuk ofron asgjë veç apelit për aspektin humanitar dhe Iranin që po i afrohet një konflikti direkt me Izraelin. Sa shanse ka që ky zinxhir të çojë në diçka shumë më të madhe sesa vetë siguria e Izraelit?
Jemi në një terren të pashkelur dhe jemi në një luftë rajonale me intensitet të ulët dhe janë goditje parandaluese. Ju e patë çfarë ndodhi me Izraelin dhe Libanin. Hamasi është një instrument i Iranit dhe Hamasi e filloj këtë luftë për të krijuar një situatë që Izraeli të sulmonte.
Hamasi është gjëja me e keqe që i ka ndodhur popullit palestinez. Kjo nuk ka ndodhur pa dijeninë e askujt, që të ndërtosh gjithë atë infrastrukturë.



