
Gazetari Klodian Tomorri komentoi në edicionin e lajmeve në MCN Tv përfundimin e hetimeve për inceneratorin e Fierit.
Tomorri thekson se nuk kishte asnjë fakt të ri nga ato që ishin thënë, dhe dosja është ajo e denoncuar nga ish-LSI.
Gazetari po ashtu vë në dukje se fatura e paguar ka qenë shumë më e lartë se realja dhe kompanitë kanë qenë fiktive dhe s’kanë paguar asnjë taksë.
Ai u shpreh se problemi kryesor është hezitimi dhe shkelja e ligjit nga organet shtetërore për të bllokuar inceneratorin e Tiranës, ku i hidhen para në llogari një personi në kërkim si Giuseppe Ciaffaglione.
Nuk ka asnjë fakt të ri nga ato që diheshin dhe ishin thënë më përpara. Përse nuk ka shkuar më lart, në hierarkinë qeverisëse, është një pyetje që duhet t’i përgjigjet SPAK, por ajo që ka çuar për gjykim nuk është asgjë më shumë dhe aq më pak veçse akuzat e bëra nga ish-LSI për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit dhe kompanitë e përfshira në këtë skenë. U përfol që hetimi do përfshinte kryebashkiakun Subashi. Është thirrur në SPAK, por me sa duket Prokuroria ka vendosur që Subashi s’ka pasur përgjegjësi në këtë çështje.
Mënyra si kanë operuar kompanitë është e thjeshtë. Kompanitë kanë pasur si nënkontrakore, ‘Integrated Energy’ të Klodian Zotos, që ka kryer punimet në dy inceneratorët. Duke qenë se vlera është disa herë më e vogël se paratë e paguara nga buxheti i shtetit, janë bërë fatura fiktive që kanë sjellë dëm për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë. Fatura është paguar shumë më tepër se sa kushton realisht dhe dëmi i dytë është shmangia e taksave. Meqenëse se subjektet kanë qenë fiktive s’kanë paguar asnjë taksë në shtet. Ne skemën e kemi marrë vesh nga denoncimet e znj. Kryemadhi, s’e kemi marrë vesh nga administrata tatimore dhe inspektorët e tatimeve. Deri tani s’ka incenerim të mbetjeve në Fier, është e njëjta skemë si në Tiranë, ku mbetjet depozitohen, por nuk kryhet asgjësimi i tyre. Edhe pse në Fier ka një vepër të ndërtuar, që sipas kontratës do kishte hyrë në punë 2 apo 3 vjet më parë, por afati iu shty dy herë. Edhe pse ka përfunduar afati i shtyrjes aty akoma nuk incenerohen mbetje. Ne nuk e dimë cila është arsyeja që s’punon. Ka shumë teza. Disa teza thonë që vepra është problematike, apo s’është ndërtuar siç duhet, nuk ka mundësi të kryejë procesin për të cilin është kontraktuar.
Problemi kryesor që unë shoh është hezitimi dhe shkelja e ligjit nga organet shtetërore për të bllokuar inceneratorin e Tiranës. Jemi në situatën ku një nga pronarët e inceneratorit të Tiranës, me 30 për qind të aksioneve, Giuseppe Ciaffaglione, është shpallur në kërkim nga SPAK për akuza të korrupsionit dhe një sërë akuza të tjera, por edhe pse është në kërkim, qeveria i paguan inceneratorit të Tiranës do muaj 1 milionë euro. Ky është paradoks i madh ku një shtet kërkon një person dhe nga ana tjetër i çon paratë në llogari. Dy kontratat e Elbasanit dhe Fierit janë mbyllur tashmë. Te inceneratori i Tiranës paguhen çdo muaj 1 milionë euro. Tamam një çmenduri alla Rilindje. Ministria e Financave duhet të kërkonte respektimin e tavaneve buxhetore. Në atë kohë sipas dokumenteve të KLSH, ka pasur letërkëmbim mes ministrisë së Financave dhe asaj të mjedisit dhe bashkisë së Tiranës. Ka debat të madh dhe akuza që hidhen ndaj Veliajt sepse ka marrë atribute të këshillit bashkiak. Pjesa tjetër e faturave janë çështje që duhet të sqarohen nga Prokuroria dhe vetëm ajo mund të ngrejë akuza”.



