Eksperti i rendit, Fatjon Softa, në një intervistë për MCN, ka shpjeguar edhe më shumë mbi dronët, të cilët kryeministri Edi Rama tha se do të qarkullojnë në territorin shqiptar pas një kontrate me Turqinë.
Softa u shpreh se qeveria duhet të japë më shumë shpjegime se për çfarë dronësh bëhet fjalë dhe për çfarë qëllimesh do të përdoren ato, ndërsa renditi dhe shpjegoi llojet e droneve.
Eksperti gjithashtu foli dhe mbi ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Shqipëri, ndërsa renditi disa nga arsyet që kanë sjellë këto krime.
“Gati çdo ditë, media po transmeton ngjarje të ndryshme kriminale, të cilat kanë një rritje të frikshme. Situata është shumë e rënduar dhe kjo është bërë një shqetësim jo vetëm i qytetarëve, por edhe i turistëve, të cilët na telefonojnë dhe na thonë që kam frikë të vijë, çfarë po ndodh. Sidomos në qytetet bregdetare, siç është Vlora dhe Durrësi, që janë zonat më me densitet të turistëve.
Kjo është një situatë që ka ardhur në rritje dhe arsyet janë të ndryshme. E para është për shkak të grupeve të organizuara të drogës, të cilat ushtrojnë aktivitet brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe grupet për shkak të konfliktit të interesit mosmarrëveshjes së tyre dhe veprojnë në territorin shqiptar.
Pra, tregtimi i tyre bëhet jashtë vendit, ndërsa kultivimi, ambalazhimi dhe përgatitja me anë të laboratorëve bëhet në territorin shqiptar.
Kemi qenë dëshmitarë të shumë operacioneve të kapjes së plantacioneve me hashash, apo të ardhjes së drogave të forta nga territore të huaja siç ka qenë Ekuadori dhe kanë ardhur përmes produkteve të bananeve apo mishit.
Këto kanë qenë situata që kanë prodhuar krim sepse janë prekje interesash, larje hesapesh midis grupeve të drogës.
Situatë tjetër kriminale ka qenë krimi në familje, dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë edhe e anëve sociale. Pandemia ka pasur një faktor të rëndesës psikologjike, por edhe krime të grumbulluara, të rritura, të akumuluara për shkak të situatës ekonomike.
Nëse krimi ka qenë më prezent në Vlorë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër, veriu ka qenë më i goditur nga ana sociale, siç ka qenë Peshkopia që kanë qenë pjesë e dhunës në familje.
Ai që vret nuk pyet për Kodin Penal, rasti i fundit siç ishte një person që vjen nga radhët e policisë. Nuk është problemi te ashpërsimi të ligjit, se po të jetë për të bërë ligjin dhe ne jemi në interes për në Bashkimin Europian, por në raste të tjera duhet të ishte pushkatimi. Kjo nuk ndodh sepse ne jemi vend europian dhe kemi aspirata për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, pra kjo nuk ndodh sepse bie në kundërshtim me të drejtat e BE-së.
Problemi është që me këto forma që ndodhin, shkurtimi i dënimit, ulja dhe zbutja e tyre dhe këta kanë filluar të gjithë që vijnë nga 20 vjet dhe përfundojnë në 12 vjet dhe pastaj del amnistia, e njeriu vete pastaj e thotë hajde se kam mundësi t'i shpëtoj. Plus dhe korrupsioni që ka ndodhur herë pas here dhe gjyqtarë të ndryshëm kanë liruar njerëz, pra jo se ligji nuk ka qenë, por ka qenë organet e drejtësisë që kanë favorizuar “të fortët”, të cilët kanë hyrë me burgim të përjetshëm dhe kanë dalë nga burgu. Kjo pastaj e bën edhe më të vështirë edhe punën e policisë. Sepse policia edhe kur e kap e çon në organet e drejtësisë edhe ai atje gjen një ngrohje dhe pastaj dalin prapë në treg.
Pastaj situata është edhe më komplekse për shkak të implikimit të punonjësve të policisë. Pra mes tyre kanë depërtuar njerëz, të cilët janë jo vetëm informator por janë edhe bashkëpunëtorë, shpesh herë janë bërë edhe kultivues.
Dronet kanë një histori të gjatë, janë sofistikuar dhe jemi në ditën e sotme. Janë kategorizuar në dy versione, për përdorim qytetar, që janë këto që përdor media dhe janë të minimizuar për nga koha, për nga qëndrimi për nga pesha. Dhe dronat të përdorur nga struktura private apo shtetërore që kalojnë peshën, kohën e fluturimit dhe lartësinë e fluturimit. Këta dronët kanë shfaqur një shqetësim publik, pasi dhe keqpërdoret.
Pra mund të keqpërdoret për përgjime, në mënyrë politike apo për shërbime kriminale e me radhë.
Dronët e marrë nga Turqia, Shqipëria gjithmonë ka marrë ndihma nga shtete të ndryshme.
Turqia ka pasur një hovë për dronët, pasi ato janë testuar dhe përdorur në konflikte si në Siri dhe vende të tjera. Këta janë drone për qëllime humanitare, qëllime inteligjente dhe veprime ushtarake, deri në armatosje.
E mira është që janë drone civil që janë për qëllime inteligjence, por që qëllimisht mund të transformohen për qëllime ushtarake, pra si dron luftarakë.
Dronet kanë një avantazh me avionët sepse kanë kosto më të vogla dhe nuk kanë rrezik të humbjes njerëzore, sepse piloti e përdor nga toka.
Përdorimi i droneve në Shqipëri, kërkon një shpjegim edhe nga vetë kryeministri sepse duhet një shpjegim publik.
Për çfarë do të përdoret nga policia shqiptare, do të jetë për identifikimin e parcelave të drogës, zbulimi apo drejtimin e policisë në terren.
Dronët janë shumë të zhdërvjellët, fillojnë nga madhësia e një insekti dhe deri në 20 ton me armatim.
Legjislacioni europian është i sofistikuar dhe është një stimul që BE sjell dhe mendohet që deri në 2024 të rritet buxheti për prodhimin e droneve në mbi 40 miliardë euro.
Flota mund të arrijë deri në 7 milionë drone nga 400 mijë që mund të përdoren.
Dronet kanë një vështirësi, pasi e para nuk e di nëse Shqipëria ka një legjislacion, sepse ku do të futen, do të futen në ushtri. Pra çfarë madhësie ka, sa kohë do të qëndrojë dhe duhet një specialist për të përdorur këto.
Dronët sa janë të mirë dhe janë dhe të rrezikshëm, sepse do të fluturojnë mbi zonat urbane, të banuara. Kjo përbën edhe një rrezik nëse nuk ka një specialist.”, u shpreh eksperti.



