
Kryeminsitri i vendit, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dëbimin e 6 qytetarëve turq nga Kosova.
Kreu i qeverisë, ka thënë se nuk ka qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe dëbimin e tyre.
“Sot, përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit”, ka thënë Haradinaj.
Më tej Haradinaj ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi lidhur me deportimin e tyre, pasi sipas tij, është veprim i paqartë.
“Si Kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar përgjegjësi ligjore ndaj atyre që janë përfshirë në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, që kërkohen nga Presidenti Erdogan, pasi konsiderohen terroristë në Turqi sepse janë përkrahës të Fetullah Gulenit
“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, theksoi Veseli.
Edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, është shprehur se nuk pasur informacion rreth mënyrës së arrestimit dhe ekstradimit të gjashtë gylenistët turk, duke adresuar përgjegjësi ndaj Agjencisë Turke të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Tahiri, ka mohuar se ka qenë i njoftuar për ekstradimin e tyre ndonëse thotë ta ketë informuar ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj se ata kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme në vendin tonë.
“Arrestimi i tyre nuk ndërlidhet absolutisht me punën time si ministër i Drejtësisë sepse unë nuk kam pasur kurrfarë shkrese këto ditë për ekstradim, por është çështje Agjencisë Turke të Inteligjencës, Policisë dhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por nuk është diçka që lidhet me përgjegjësin time, nuk lidhet as me prokurori e as me gjykata por ashtu siç jam njoftuar nga ministri i Punëve të Brendshme ata kanë qenë duke qëndruar në territorin tonë paligjshëm dhe për këtë arsye janë depërtuar”, tha Tahiri për “Gazeta Blic”.



