Dy shoferët e Ministrisë së Jashtme, që u ndaluan pak ditë më parë teksa transportonin disa tekste shqip për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, janë dënuar me 30 muaj me kusht.
Altin Tafa dhe Agim Asllani kanë dalë sot para gjyqit në Greqi.
Akuza tha se librat kishin përmbajtje antigreke. Sipas tyre, në tekste kishte harta të Shqipërisë së Madhe. Shoferët u shpallën fajtorë për futjen e materialeve propagandistike në Greqi.
Ata u arrestuan më 14 nëntor me arsyetimin se librat që ata po transportonin kishin përmbajtje që cënonin shtetin grek.
Një ditë pas arrestimit të tyre, ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi tha se librat nuk kanë pasur asnjë përmbajtje provokuese, por ishin tekste që vijnë çdo vit për kurset e gjuhës shqipe.



