Në epokën e zhvillimeve të vrullshme teknologjike po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ruash privatësinë. “Viktimat” e radhës janë të paktën 1600 klientë hotelesh në Korenë e Jugut, të cilët janë filmuar pa dijeninë e tyre me kamera të fshehta dhe filmimet janë publikuar online.
Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë po hetohen në lidhje me skandalin e kamerave të fshehta në 42 dhoma të 30 hoteleve në 10 qytete koreane, raporton CNN. Kamerat ishin fshehur në aparatet e televizorit, në tharëset e fiksuara të flokëve dhe në mure.
Në Korenë e Jugut, ky nuk është rasti i parë i kësaj natyre. Rreth 30 mijë raste të filmimeve të fshehta janë denoncuar në polici që prej vitit 2013, raporton NYT. Kamera të fshehta, që kanë si shënjestër kryesisht femrat, janë gjetur në tualetet publike apo në palestra.
Kësaj “dalldie” nuk i kanë shpëtuar as VIP-at. Javën e kaluar, kantautori Jung Joon-young pranoi se kishte filmuar takimet intime me femra dhe i ka ndarë filmimet me kolegët.
Në korrik të vitit të kaluar, dhjetëra mijëra protestues marshuan në Seul me kërkesën që autoritetet t’i mbrojnë femrat nga filmimet pa dijeninë e tyre. Disa gra mbanin veshur bluza ku shkruhej “Jeta ime nuk mund të jetë pornoja jote”.
Në përgjigje të kësaj thirrjeje, qeveria punësoi mijëra njerëz që kryejnë kontrolle të përditshme për kamera të fshehura në tualete apo mjedise të tjera.



