
Deti Mesdhe, djep i qytetërimit dhe qendër e një trashëgimie të jashtëzakonshme mjedisore, është sot një nga detet me nivelin më të lartë të ndotjes nga mbetjet plastike. Ato përbëjnë 95% të mbetjeve në det të hapur, në shtratin e detit dhe plazhet përgjatë vijës bregdetare të gjithë Mesdheut.
Sipas një raporti të Fondit Botëror për Jetën e Egër, i publikuar me rastin e Ditës Botërore të Oqeaneve, brenda vetëm një minute, në ujërat e Mesdheut përfundojnë 33 800 shishe plastike.
Raporti nxjerr në pah paaftësinë e 22 vendeve që kanë dalje në detin Mesdhe për të menaxhuar në mënyrën e duhur mbetjet dhe në mënyrë specifike ato plastike.
Këto mbeturina vijnë kryesisht nga Turqia dhe Spanja, të ndjekura nga Italia, Egjipti dhe Franca. Evropa është prodhuesi i dytë më i madh i plastikës në botë, pas Kinës. Kontinenti i vjetër hedh në det çdo vit mbi gjysmë milionë tonë mbetje plastike, duke i kthyer ujërat e Mesdheut në kërcënim për jetën detare. Nëse kjo tendencë vijon, kjo shifër do të katërfishohet deri në vitin 2050.
Copat e mëdha plastike i dëmtojnë dhe shpesh i vrasin kafshët detare dhe disa specie në rrezik, siç janë p.sh. breshkat e detit. Ndotja plastike e detit dëmton në mënyrë indirekte edhe shëndetin e njeriut. Mikroplastika, ose fragmente të vogla të mbetjeve plastike, hyjnë në zinxhirin ushqimor dhe bëhen kërcënim për miliona njerëz në mbarë botën.
Po ashtu, ndotja ka ndikim edhe në ekonomi. Blue economy ose ndryshe ekonomia që bazohet mbi zhvillimin e qëndrueshëm, në nivel europian humbet çdo vit 641 milionë euro për shkak të ndotjes dhe gjysma e kësaj shume i përket sektorit të turizmit.
Reduktimi i përdorimit të plastikës dhe ndërtimi i një ekonomie me bazë riciklimin mbetet strategjia më efektive për të parandaluar ndotjen. Por jo të gjitha vendet që lagen nga Mesdheu e kanë implementuar një të tillë. Mes tyre, Italia është prodhuesi më i madh i produkteve plastike në rajon dhe prodhuesi i dytë më i madh i mbeturinave plastike.
Por vende si Greqia, Turqia dhe Tunizia kanë të meta të dukshme në sistemin e grumbullimit dhe seleksionimit të mbetjeve dhe vlerësohet se gjysma e mbeturinave të tyre është e ndotur dhe e pariciklueshme. Nga ana tjetër, vendet e brigjeve jugore nuk arrijnë të riciklojnë as 10% të mbetjeve.
Në Evropë, sipas përllogaritjeve të raportit, shpenzimet operative për riciklimin e plastikës vlerësohen në 924 euro për ton, ndërsa çmimi mesatar i shitjes së materialit që del prej tyre është 540 euro për ton. Në këto kushte, zgjidhja ideale është ajo etike dhe politike. Për këtë arsye bëhet i domosdoshëm apeli fillon apeli për një angazhim të përbashkët dhe të detyrueshëm për të gjitha qeveritë e Mesdheut dhe të BE-së (si anëtarë të Konventës së Barcelonës) për të shpëtuar Mesdheun.
/ Përgatiti: Gazmira Sokoli /



