
Gjashtë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po kërkojnë nga talibanët që të "rishikojnë" vendimin për mbylljen e shkollave të mesme për vajzat.
Franca, Italia, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së kanë paralajmëruar se vendimi mund të ketë pasoja që jo vetëm dëmtojnë vajzat, por mund të dëmtojnë ambicien e Afganistanit për t'u bërë një anëtar i respektuar i komunitetit ndërkombëtar.
"Ne jemi të bashkuar dhe dënojmë vendimin e talebanëve (në 23 mars) për t'u mohuar vajzave afgane mundësinë që më në fund të kthehen në shkollë. Veprimi i talebanëve bie ndesh me garancitë e tyre publike për popullin afgan dhe komunitetin ndërkombëtar. Çdo shtetas afgan, djalë apo vajzë, burrë apo grua, ka të njëjtën të drejtë për arsimim në të gjitha nivelet, në të gjitha provincat e vendit", thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së mbi deklaratën e përbashkët të gjashtë vendeve.



