
Duke filluar nga dita e sotme Kosova nis aplikimin e dozës së tretë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit. Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë.
Në lidhje me këtë temë në një bisedë përmes “Skype” në MCN TV ishte mjeku infeksionit në Kosovë, Hamdi Ramadani. Ramadani tha se aplikimi i dozës së tretë është pritur shumë mirë në Kosovë, ndërsa shtoi se doza e tretë do të ndihmojë imunitetin në përballimin e variantit të ri “Omicron”.
“Është një lajm i mirë për Kosovën pasi shumë vende kanë startuar me dozën e 3 antiCovid. Doza e tretë, përforcuese do të jetë pozitive për ata që kanë probleme të tjera shëndetësore dhe imunitet të dobët. Kjo do të bëjë të mundur për shëndetin e këtyre qytetarëve. Vendi jonë i ka vaksinat e mjaftueshme. Shpresojë që qytetarët të sensibilizohen për të marrë vaksinën. Mendoj që mosha 18 e tutje të marrë vaksinën pasi dhe Omicron po vërtetohet që është rezistencë ndaj 2 dozave të vaksinës, ndërsa me dozën e 3 besohet se nuk ka të njëjtën forcë. Duhet vrapuar për të marrë dozën e tretë dhe të mos humbim kohën.”, u shpreh Ramadani.
Lidhur Omicronin, Ramadani tha se në Kosovë nuk është identifikuar ende asnjë rast, por sipas tij dita që të konfirmohet është afër.
“Tash për tash nuk është diçka e vërtetuar, por në shumë vende të botës kanë Omicron, por tek ne ende nuk është vërtetuar. Por në një të ardhme të shkurtër dhe vendi jonë do të vërtetojë Omicronin. Nuk e besoj që vendi ynë të mos preket dhe të mos qarkulloj në ta ardhmen në Kosovë. Mendoj se vaksina bënë që ne të mos kemi shumë të infektuar dhe masat kanë ndikim.”, përfundoi mjeku.



