
Figura numër një e lëvizjes antikomuniste në Poloni, Les Valesa, i kërkoi grupit të mirënjohur muzikor “Rolling Stones” të mbështesë “polet që mbrojë demokracinë” në vendin që është përfshirë nga reforma në sistemin gjyqësor, për të cilën kritikët thonë se po minon demokracinë.
Polonia është përfshirë nga protestat javët e fundit për shkak të një ligji kontrovers të miratuar nga qeveria e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), i cili detyron gjykatësit e moshuar të dalin në pension.
“Shumë njerëz në Poloni e mbrojnë lirinë, por kanë nevojë për mbështetje. Nëse mund të thoni apo të bëni diçka përsa kohë jeni në Poloni, do të ishte më shumë rëndësi për këta njerëz”, shkroi Valesa në një postim drejtuar grupit në rrjetet sociale.
Apeli i Valesës vjen pas debateve dhe trazirave mbi daljen në pension të parakohshëm të kreut të Gjykatës së Lartë, Malgorzata Gersdorf, e cila e ka refuzuar ligjin si antikushtetues.
Bashkimi Europian e ka kritikuar ligjin e ri, duke e cilësuar si kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit.
Grupi i njohur muzikor mbajti një koncert të dielën në Varshavë.
Gjatë koncertit, lideri i grupit, Mick Jagger, gjeti momentin për t’i kthyer një përgjigje shkurt Valesës. “Jam i vjetër për të gjykuar, por nuk jam i vjetër për të kënduar”, citohet ai nga polakja “Gazeta.pl”.
Një nga ndryshimet më të kundërshtuara në ligjin e ri për sistemin gjyqësor në Poloni është detyrimi i gjyqtarëve mbi 65 vjeç për t’u tërhequr nga detyra.



