
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu deklaroi përmes një lidhje “Skype” se arsyeja e mospranimit të kërkesës së opozitës nga mazhoranca për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen "Mcgonigal" është pa logjikë dhe pa përmbajtje dhe kjo tregon që ka shkelje flagrante të parlamentarizmit.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Shehu tha se përveç procesit të hapur në SHBA, organet e drejtësisë dhe Parlamenti duhet të bëjnë hapat e tyre.
Është absurditet që nuk mund të ndodhë në asnjë vend demokratik. Nuk mund të thuash do ndërroj ligjin e s’mund të bësh kërkesë, është non sens nuk ekziston një logjikë e tillë veç logjikës së shkeljes së demokracisë nga frika nga përballja. Jemi përpara një situate ku frika nga ballafaqimi bën të shkelësh çdo nocion parlamentarizmi. Sot është ky ligj, do punohet me këtë, kur të ndërrohet punohet me atë tjetrin. Nuk është argument, është një deklamim pa asnjë logjikë dhe përmbajtje. Më mirë të thotë, nuk duam ta bëjmë, ka shumicën. Megjithëse ligji thotë që është i detyruar. Kemi shkelje flagrante të parlamentarizmit, nuk ka më Parlament. Është e paimagjinueshme.
Nuk kam informacion, por jam i bindur që është skandal i madh, ku është cenuar siguria e aleatit tonë më të madh, është korruptuar një zyrtar për t'u përdorur kundër opozitës, është diversion brenda SHBA që vendos në pikëpyetje marrëdhënie tona, krijon një handikap. Këtë punë mund ta bëjnë vetëm sulltanatet nuk mund të ndodhë në demokraci. Ata fokusin kryesor e kanë te problemi i tyre. Por duhet që dhe Shqipëria të bëjë hapat e saj me organet e drejtësisë, qoftë me Parlamentin. Në SHBA do vijojë hetimi dhe nga dimensionet që ka marrë duket që i japin rëndësi të madhe.
Më tej, Shehu tha se PD është ‘një’, nuk ka përçarje dhe se Alibeaj është një njeri i varur nga Rama.
I pyetur për vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e PD, Shehu tha se çdo gjyqtar do të jetë i orientuar mirë dhe do të dijë si të veprojë. Sipas deputetit një vendim i kundërt nga ai i dhënë nga Gjykata e shkallës së parë do të krijonte turbulenca.
Mosbindja civile nuk është dhunë, është veprim paqësor, dhe Gandi i krijoi. Nuk ka lidhje me dhunën, këtu kemi të bëjmë me një regjim që ka shkelur demokracinë. Kërkohet një reagim dhe ndaj regjimeve reagohet pasi nuk e pranojnë votën e lirë. Duhet revolucion paqësor, demokratik që regjimet të paktën të fusin vendin në rrugën e votës së lirë. Nuk ka rrugë tjetër, përveç përballjes me regjimin. Jemi në një situatë vërtet tragjike.
Protestat, lëvizjet masive janë mjete dhe veprime që bën çdo opozitë demokratike, nuk e shpikën ne. Në Shqipëri duhet të përballësh me regjimin. Janë për t’u përshëndetur dhe janë në rritje, për të kaluar pastaj me votën e lirë.
"Mcgonigal" është vetëm një çështje. Kemi të bëjmë me një përdorim të forcës së regjimit kundër demokracisë. Është çështje e madhe që duhet të shqetësojë çdo shqiptar. Një regjim si ky shkel të drejtat e qytetarëve, votën e lirë, mirëqenien e qytetarëve, detyron qytetarët të largohet. Janë një kompleks gjërash që kanë shpërthyer duke krijuar një pikë kulminante me këtë gjë.
Nuk shoh përçarje brenda PD. PD është unike. Aliebaj është individ, nuk ia vlen të merresh me të, është njeri i ndërvarur nga ai. PD në bazën e saj dhe në majë është unike. Ka një problem, është në grupin Parlamentar. Për mua disa kolegë nuk janë të mirë orientuar, të vihen në kontakt me bazën, me elektoratin dhe pastaj të marrin pozicionet në bazë të sjelljes të elektoratit.
Çdo gjë ka një logjikë, çdo gjykatës do të jetë orientuar mirë dhe do e kuptojë si do veprojë. Ka një vendim të shkallës së parë. Nuk kishte palë të tjera shkalla e parë, mund të apelojnë ata që janë palë. Kur nuk je palë nuk mund të apelosh, mund të kërkosh të hapet një proces nga e para. Apelimi është diçka artificiale, që nuk ka sens. Apeli duhet të bazohet mbi investigimin që ka bërë shkolla e parë. Por le të bëjë dhe investigim të ri, mund të verifikohet çdo gjë. Besoj që asnjë gjykata nuk mund të japë vendim ndryshe nga shkalla e parë, ndryshe do ishte një veprim që do të krijonte turbulenca të mëdha në vend që do godiste opozitën që përfaqën gjysmën e elektoratit.



