Anëtarët e NATO-s po debatojnë për vendosjen e më shumë armëve të tyre bërthamore në gjendje gatishmërie mes tensioneve me Rusinë dhe Kinën, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Në një intervistë për "Daily Telegraph" të dielën, Stoltenberg deklaroi se NATO është në bisedime për heqjen e aseteve bërthamore nga magazinimi dhe për t'i vënë ato në gatishmëri për t'u përdorur, pasi blloku ushtarak i udhëhequr nga SHBA duhet t'i përcjellë qartë botës së jashtme fuqinë dhe potencialin parandalues.

"Unë nuk do të hyj në detaje operacionale se sa koka bërthamore duhet të jenë funksionale dhe cilat duhet të ruhen, por ne duhet të konsultohemi për këto çështje," tha ai, duke shtuar se diskutimet tashmë janë duke u zhvilluar.
Shefi i NATO-s theksoi se ndërsa qëllimi përfundimtar i bllokut është një botë pa armë bërthamore, “për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, ne do të mbetemi një aleancë bërthamore, sepse një botë ku Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut kanë armë bërthamore, dhe NATO nuk ka, është një botë më e rrezikshme.”
Ai shprehu shqetësim të veçantë për atë që ai i quajti aftësitë bërthamore në rritje të Kinës, duke shtuar se NATO së shpejti mund të përballet me "diçka që nuk është përballur kurrë më parë", ku ka dy kundërshtarë të mundshëm bërthamor, Pekini dhe Moska.



