Gjykata e pakënaqur për herë të dytë me hetimet e ‘Sterilizimit’

Gjykata e pakënaqur për herë të dytë me hetimet e ‘Sterilizimit’

Hetimet e deritanishme duket se kanë ngjallur sërish pakënaqësi për cilësinë e tyre te i njëjti gjykatës, i cili shqyrtoi disa javë më parë kërkesën e SPAK për masën e sigurimit detyrim paraqitje për Ilir Beqaj dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit.

“Kur dosja kalon nga një prokuror te një prokuror tjetër kemi parë që ndryshon rrjedha e hetimeve 108 gradë. Një prokuror nuk e heton fare, sa kalon te një prokuror tjetër, pa kryer hetime të tjera shkon çështja në arrestim, akuza dhe shkon në gjykatë. Kemi qëndrime diametrialisht të kundërta. Kjo krijon një kakofoni dhe mosbesim të publikut te institucionet e drejtësisë. Kjo mendoj se vjen si pasojë e deçentralizimit të rolit të prokurorisë dhe dhënia e pavarësisë prokurorëve, por ka dhe anën tjetër që mungon qëndrimi institucional dhe në disa raste prokurori duhet të përballet vetë, jo vetëm me presione nga zyrtarët e lartë por ndonjëherë dhe krimi i organizuar.” thotë ish-prokuroi Gentian Tërnova.

Në vendimin e parë gjyqtari Erjon Bani kishte kërkuar që hetimet të fokusosheshin në hetimin e veprave penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të i zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të i zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, por deri më sot nuk ka të dhëna dhe rezultate nga puna hetimore e prokurorisë për këto vepra. Gjykatësi duket i pakënaqur dhe me hetimet e reja që po bëjnë prokurorët, duke përfshirë si të dyshuar ish-ministrin Beqaj vetëm për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ dhe sugjeron që minimalisht ndaj tij duhet të rëndojë dhe akuza ‘falsifikim i vulave dhe formularëve’.

 “Gjykata çmon se në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penal të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ilir Beqaj krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, vepër që dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.” është shprehur në vendim gjyqtari.

“Kur flasim për shuma kaq të mëdha parash, kur flasim për një kontratë që është bërë vetëm për një biznesmen, kur flasim për një mënyrë emergjente të përfshirjes me koncesion të sterilizimit, duhet patjetër të hetohet nëse ka apo jo korrupsion.” thotë avokati Redi Ramaj. 

Për gjykatësin, koka e organizimit të koncesionit të sterilizimit e cila ka përfunduar në një kontratë të dëmshme për interesat financiarë të shtetit, nuk janë as zv/ministri i Shëndetësisë e as antarët e Komisionit, por vetë ish-ministri Ilir Beqaj.

 “Gjykata krijon bindjen se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ilir Beqaj në procedurën e konçesionit të sterilizimit paraqitet në rolin e organizatorit në veprimtarinë e paligjshme të ndjekuar nga strukturat në varësi të tij, duke përzgjedhur njerëzit e tij të besuar në Komisionin e Dhënies me Konçesion. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se këta të fundit kanë vënë në jetë planin e paramenduar të personit nën hetim Ilir Beqaj, për dhënien me çdo kusht të konçesionit fituesve të paracaktuar.”

“Edhe heshtja e administratës për të vuajtur dënim me burg dhe për cënim të reputacionit për llogari të udhëheqësve politikë është një tregues i një situate shqetësuese në shoqërinë shqiptare dhe meriton të analizohet më tej, përtej kostove që vazhdojnë t’i shkaktohen ekonomisë së vendit.” thotë drejtori i Qendrës për Kërkime Ekonomike Zef Preçi.

Gjyaktësi e argumenton bindjen se iniciatori dhe truri i idesë së koncesionit është vetë titullari më i lartë i ministrisë së Shëndetësisë në kohën e dhënies së kontratës, pasi ai nuk ka kërkuar studimin e numrit të saktë të ndërhyrjeve kirurgjikale duke ulur fiktvisht kostot e kontratës dhe rënduar buxhetin e shtetit në të ardhmen, si dhe ka refuzuar të marrë masa pas konstatimeve që kanë bërë pjesëmarrësit e tjerë në garë, kur e kanë njoftuar se oferta e kompanisë ‘Sani Service’ ishte më e lartë se fondi limit i përcaktuar. Këtë model kontrate, Erjon Bani e sheh si prokurim me afat të gjatë 10-vjeçar të formës ‘Marrëveshje Kuadër’, por të kamufluar si koncesion, duke qënë se ligji i prokurimit publik nuk lejon marrëveshje me afat më të gjatë se 4 vjet.

 “Gjykata ҫmon se në kushtet kur konҫesioni i sterilizimit duhej bërë patjetër dhe fituesi ishte paracaktuar, nuk ishte në interesin e personit nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë dhe Komisionit të Dhënies së Konҫesionit marrja e informacionit të saktë dhe zyrtar, pasi qëllimi i tyre ishte vetëm fryrja në mënyrë fiktive e kostove të objektit të konҫesionit për ta prezantuar konҫesionin si procedurë ekonomikisht më të favorshme nga ajo e prokurimit publik. Gjithashtu, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj si autoriteti i vetëm që ka kompetencë për të miratuar vlerën e kontratës, nuk ka kërkuar që të respektohet kjo procedurë. Ministri i Shëndetësisë në rastin konkret, në cilësinë e titullarit të autoriteti kontraktor është përgjigjës për përdorimin e fondeve publike, në mënyrë të ligjshme, me ekonomi, efektivitet dhe efiçencë.” është shprehur gjykatësi Bani.

Duke qënë se nuk është në kompetencën e gjykatës që të japë një masë shtrënguese më të fortë se kërkesa e prokurorit, gjyqtari Bani ka miratuar vendimin e prokurorëve për masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, por sërish shpreh se në gjykimin e tij masa e duhur është ajo e arrestit me burg. Ky argumentim i gjyqtarit lidhet me faktin se zoti Beqaj mbante e një post të lartë publik drejtor i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku mund të rrezikohej që shkelje të përsëriste shkeljet ligjore të mëparshme.

 “Gjykata vlerëson se për personin nën hetim Ilir Beqaj masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e ‘Arrestit në burg’. Këtu duhet theksuar fakti se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, është i gabuar.” është shprehur gjykatësi Bani.

Disa ditë pas marrjes nga Prokuroria e Posaçme si person nën hetim, Ilir Beqaj dha dorëheqjen nga posti i drejtuesit në Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

“Nuk ka arsye të përdoret imuniteti apo posti publik si koracë. Posti publik tregon se ti nuk ke më jetë private dhe nuk ke çfarë t’i fshehësh publikut. Duhet të jesh transparent ndaj taksapaguesve dhe ky është një rregull nga i cili nuk duhet të bëjë përjashtim askush.” sqaron eksperti Zef Preçi.

“Sistemi duhet të vetërregullohet dhe gjykata po bën punën e saj, dhe gjykatësi që do të marrë çështjen nesër, gjykatësi paraprak, mund të rregullojë më tej situatën për të zbardhur më tej pasqyrën e ngjarjes dhe më pas do të jetë gjykimi ku do të përballen të gjitha faktet. Por shmangja fillimisht e ish-ministrit Beqaj është një njollë që nuk e nderon Prokurorinë e Posaçme.” thotë avokati Redi Ramaj.

Pavarësisht këtij gjesti publik, hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë kritikuar se nuk kanë gjurmuar paratë dhe përfituesit e miliona eurove që janë paguar nga buxheti i shtetit.

“Duhen parë çfarë konflikti interesi dhe çfarë përfitimesh mund të kenë marrë të gjithë personazhet që kanë qënë pjesë e procedurës së prokurimit. Jo vetëm ata që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në hartimin e dokumentacionit por dhe ata që kanë hyrë në biseda dhe kanë qënë drejtpërdrejt të interesuar për bërjen e kësaj procedure.” thotë ish-prokurori Tërnova.

Edhe pse hetimet disavjeçare zbuluan skemën se si paratë që fitoheshin nga koncesioni i sterlizimit shkonin për konsulenca dhe shërbime që faturonin kompani të lidhura me pronarët e koncesionarit, nuk ka asnjë penalizim për shoqëritë dhe as masë vendimi për sekuestrimin e firmës koncesionare Sani Service.

Dhe pse prokuroria ka gjetur shkelje dhe abuzim në kontratë, sërish paratë nga buxheti për kompaninë që është përdorur për të bërë këto shkleje dhe abuzime vazhdojnë të jepen. Nuk ka asnjë masë paraprake për vendosjen e masës së sekuestrimit, në mënyrë që paratë e taksapaguesve të kenë monitorim nga një administrator shtetëror.

Për koncesionin e sterilizimit janë konstatuar abuzime, ka arrestime dhe masa shtrënguese për një zinxhir zyrtarësh të lartë, por kompania koncesionare deri më sot rezulton pa asnjë përgjegjësi dhe trajtohet si ‘tokë e shenjtë’.

 “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka detyrimin ligjor të hetojë shoqërinë konçesionare ‘Sani Service’ dhe shoqërinë ‘Globalsher’, ndër të tjera edhe për figurat e veprës penale të ‘Skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’ dhe ‘Fshehje e të ardhurave’.” është shprehur gjykatësi Bani.

Duket se Ilir Rrapaj, shqiptari që kishte lidhje dhe me politikën, kishte tortën dhe aksesin më të madh në këtë kontratë koncesionare. Vetëm nga kompania Globasher e hapur për të ofruar shërbime për koncesionin, ai ka faturuar 7.3 milion euro shërbime, të cilat në fakt nuk i ka ofruar vetë por i ka nënkontraktuar. Për nënkontraktimet e tyre ai ka paguar 440 mijë duke siguruar një fitim vetëm përmes këtyre transaksioneve në vlerën 6.8 milion euro. Prokuroria dyshon se kompania e tij përdorej vetëm për konsulencë dhe nuk ishte e aftë të ofronte shërbimet, por nuk ka hetuar gjurmët se ku kanë shkuar milionat euro që Sani Service ka paguar për Globasher. Njësoj si këto transaksione, hetuesit renditin në një listë tjetër me 11 milion euro shërbime për të cilat koncesionari ka kontraktuar Globasher. Kjo kompani nuk rezulton të jetë nënkontraktor i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë siç detyron  kontrata, por askush nuk e ka monitoruar atë, as në kohën kur ministria drejtohej nga Ilir Beqaj dhe as në kohën kur u drejtua nga Ogerta Manastirliu.

Gjyqtari nuk heq dorë as në bindjen që shprehu në vendimin e parë kur shqyrtoi masat e sigurisë për kërkesën e parë të prokurorëve për hetimet e sterilizimit. Ai insiston në hetimin e ish-ministrit të Financave Shkëlqim Cani, si autoritet që ka miratuar koncesionin.

 “Mbetet e paqartë përgjigjia e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo shikon dokumentacionin vetëm nga ‘pikëpamja formale’. Nëse kjo e fundit e shikon dokumentacionin nga pikëpamja formale a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar? Nëse e shikonte dokumentacionin nga pikëpamja formale dhe Studimin i Fizibilitetit ka qenë i njëjtë nga pikëpamja formale pse e refuzoi herën e parë?”

Në këtë vendim gjyqtari është më konkret në dyshimet që ka për rolin e ish-ministrit të Financave.

 “Në rastin konkret personi nën hetim Ilir Beqaj ka shërbyer si shtytës ndërsa zoti Shkëlqim Cani në rolin e ndihmësit.”

Kërkesa përsëritet për të hetuar dhe antarët e Komisionit të Prokurimit Publik Gentian Këri, Spiro Kuro, Leonard Gremshi dhe Hektor Balluku, si persona që kishin dijeni për shkeljen dhe nuk morën masa për anullimin e procedurës, çka do të kishte ndërprerë shkeljet dhe dëmet që pasuan për interesat e shtetit.

 “Nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik pasqyrohen të dhëna të pavërteta lidhur me llojin e procedurës e ndjekur nga Komisioni i Dhënies me Konҫesion, duke lejuar kështu që t’i vijë dëm ekonomik shtetit si rezultat i negocimit të Kontratës Konҫesionare.”

Argumentimet e gjykatësit të dhënies së masës së sigurisë, por dhe disa detyra që ai la për hetimet e prokurorisë , kanë hapur debate lidhur me kompetencat që ka një gjykatës që miraton masat e sigurisë.

“Në këtë rast dyshohet se prokuroria nuk ka bërë një hetim të saktë dhe është konstatuar nga ana e gjyqatrit, por nga ana tjetër gjyqtari nuk ka rol aktiv që të urdhërojë dhe drejtojë se çfarë duhet hetuar nga ana e prokurorisë sepse gjykata ka rolin e institucionit të pavarur dhe kemi një tejkalim te komptencës në lidhur me këtë çështje.” thotë ish -prokurori Gentian Tërnova.

“A e ka kaluar gjyqtari i masës së sigurisë kompentencën? Rregulli është i tillë sipas Kodit të Porcedurës Penale, që në momentin që ngrihet akuza është gjyqtari i parë (parapra) që flet për procedurën, kryerjen e hetimeve të tjera, veprën penale të dyshuar etj. Por nuk e shoh si problem për prokurorinë sepse nuk është e detyruar që për pjesën e hetimeve të raportojë te ky gjyqtar që ka bërë këtë argumentim, por te një gjyqtar tjetër pasi të ketë ngritur aktakuzën. ka një gjykatë tjetër, siç është apeli që mund të kontrollojë vendimin e gjykatësit.” thotë avokati Redi Ramaj.

Kodi i procedurës penale përcakton se kompentenca e gjykatësit paraprak të hetimeve është vetëm miratimi i ose jo i masës shtrënguese që kërkon prokurori. Ndërsa gjyqtari e interpreton kështu lënien e detyrave për prokurorin.

 “Gjyqtari i hetimit paraprak është i pavarur në vlerësimin e faktit dhe mund të bëjë një cilësim juridik të ndryshëm të faktit penal nga ai i prokurorisë për të vlerësuar rëndësinë e faktit penal dhe të dënimit që mund të caktohet ndaj të dyshuarit në përfundim të gjykimit. Këtë vlerësim, gjykata e bën në mënyrë të pavarur, pavarësisht faktit nëse prokurori ka bërë ndryshimin e cilësimit juridik.”

 

 

 

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy