Komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme miratoi raportin e gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 Prill 2021.
KQZ ka propozuar dënimin me 5.5 milionë lekë të reja për Partinë Socialiste, ndërsa për Partinë Demokratike 700 mijë lekë të reja. Ndërkohë e vetmja parti që i ka shpëtuar gjobës është Partia e Lirisë, dikur Lëvizja Socialiste për Integrim.
Sipas KQZ, partitë që janë ndëshkuar me gjoba kanë tejkaluar kufirin maksimal të shpenzimeve për fushatën zgjedhore nga kandidatët dhe subjektet politike.
Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative, për partitë politike, kandidatët:
- “Partia Demokratike” me gjobë në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 8 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Demokristiane e Shqipërisë” me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 1 të Kodit Zgjedho;
- “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 1 të Kodit Zgjedhor;
- z. Fitimtar Lala të partisë politike “Partia Lëvizja e Re” me gjobë në masën 195 000 (njëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë) lekë dhe kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së, sipas nenit 173, pika 5 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Lëvizja e Legalitetit” me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë), sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Socialiste e Shqipërisë” me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë), sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Republikane” me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë), sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë), sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Balli Kombëtar Demokrat” me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Nisma Thurje” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Bindja Demokratike” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor
- “Partia SocialDemokrate;” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor
- “Partia Balli Kombëtar.” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor
- “Partia Demokratike” me gjobë në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor;
- “Partia Socialiste e Shqipërisë”, gjobë në masën 5 000 000 (pesë milion) lekë, sipas nenit 173, pika 9 të Kodit Zgjedhor;
Në zbatim të nenit 88 pika 7 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi:
- Detyrimin e partisë politike “Partia SocialDemokrate” të kthejë në KQZ shumën prej 1.629.360 (një milion e gjashtëqind e njëzet e nëntë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë;
- Detyrimin e partisë politike “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” të kthejë në KQZ shumën prej 55.166,74 (pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë presje shtatëdhjetë e katër) lekë;
- Detyrimin e partisë politike “Fryma e Re Demokratike” të kthejë në KQZ shumën prej 485.332 (katërqind e tetëdhjetë e pesë mijë e treqind e tridhjetë e dy) lekë.
KQZ miratoi poashtu programin e edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve, programin për edukimin, informimin, ndërgjegjësimin, si dhe për krijimin e kushteve lehtësuese për pjesëmarrjen në zgjedhje të personave me aftësi ndryshe dhe programin për edukimin, informimin dhe ndërgjegjësimin e pakicave kombëtare, për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023.
Komisioneri miratoi modelin dhe specifikimet e disa materialeve zgjedhore që përdoren nga administrata zgjedhore, si dhe udhëzimin për mënyrën e komunikimit të KQZ me bashkitë në kuadër të bashkërendimit të informacionit për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.