
Gjatë një auditimi të realizuar në shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2019-2020-2021, ka rezultuar se ky institucion nuk ka zbatuar kuotën e nevojshme ushqimore për fëmijët që ndodhen të strehuar aty, po ashtu në raportin e përpiluar ishin nënvizuar dhe një sërë shkeljesh të tjera.
Lidhur me këto gjetje, në cilësinë e nënkryetares së grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, deputetja Ina Zhupa, tha në një komunikim me edicionin e lajmeve në MCN tv, se raporti ka fakte tronditëse dhe se lipset një hetim i plotë për të kuptuar në themel situatën dhe të gjitha shkeljet në Shtëpinë e Fëmijëve.
Jam e tronditur kur jam njohur me raportin dhe mendova se e gjithë politika do të reagonte aq më pak që bëhej fjalë për Shtëpinë e Fëmijëve që ka nevoja të shumta për jetesë.
Raporti ka specifikuar shkelje të rënda, dhe prandaj e kam ndjerë si detyrim të reagoj sepse nuk është çështje politike por njerëzore dhe se kam kërkuar një hetim të plotë të kësaj ngjarje dhe kërkesë përgjegjësie që nga ministrja Manastirliu e deri te drejtoresha më e thjeshtë e Shtëpisë së Fëmijëve.
Nuk duhet të shqyrtojmë vetëm këtë rast, por duhet ti hyjmë me thellësi të gjitha Shtëpive të Fëmijëve në Shqipërisë se si menaxhohen ato.
Deputetja Zhupa thotë se nevojitet më tej dëgjesë publike e të gjitha institucioneve përgjegjëse ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po mundohet të manipulojë letrat për të fshehur realitetin.
Ishte një turp deklarata e Manastrliu dje në Parlament në debat me mua, prisja që ajo të merrte fajin dhe të pranonte thirrjen e opozitës për një komision hetimor edhe për të gjitha institucionet në varësi të saj, por ajo doli e anatemoi raportin e KLSH.
Ju garantoj se PD ka 0 lidhje me atë institucion, kreu i tij është zgjedhur me votat e PS, raportin e kanë shkruar ata, jo ne, nëse është dëshira për ta bërë politike e ministres, sepse do ti shmanget përgjegjësive.
Ne kemi parashikuar edhe një thirrje për dëgjese publike të institucioneve përgjegjëse që nga ministrja, vet KLSH dhe te organet tjera. Ministrja e ka për detyrë të vij të raportoj në komisione, dhe tani ajo po mundohet të manipulojë letra për të fshehur realitetin.
Unë i qëndroj idesë që duhet një komision hetimor i plotë për rastin në fjalë.



