
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në studion e lajmeve të MCN Tv se edhe në mbledhjen e dy Kuvendeve të mbajtur të premten, Rama dha të kuptohet që qeveria e Kosovës duhet të krijojë asociacionin e komunave serbe. Sipas Milos, kjo mbledhje nuk ishte vendi për të bërë kritika që mund të prishnin atmosferën (duke qenë se deklaratat nuk u pritën mirë), por duhet të jepej një mesazh për bashkëpunim të ndërsjellë.

Është vënë re distancim dhe kritikë herë e hapur dhe herë e nënkuptuar që Rama i ka bërë qeverisë së Kosovës, gjë që në mënyrë pak më të sofistikuar e bëri përsëri të premten në Kuvendin e Kosovës kur i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të respektojë ato çështje që ka marrë përsipër. Dha të kuptohet që qeveria e Kosovës duhet të krijojë asociacionin e komunave serbe. Në Prishtinë nuk tingëlloi mirë, u prit me kritika. Kritikat nuk ishin zyrtare. Gërvalla është ministre e Jashtme dhe në këtë rast nuk ka folur si ministre e Jashtme, por si politikane. Nuk pati reagim nga vetë Kurti drejtpërdrejti.
Kjo mbledhje e dy Kuvendeve është ngjarje e rëndësishme, shumë e madhe, duhet të dëshmojë mesazhe të drejtpërdrejta solidariteti dhe mbështetje të ndërsjellë dhe nuk ishte vendi aty për të bërë kritika që mund të prishnin atmosferën dhe dobinë e mesazheve që duhet të vijnë nga përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve në dy anët e kufirit. Duet të synonte mesazhi i vëllazërisë, bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë.



