Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se me Presidencën e dytë Trump do ketë ndryshime të mëdha, jo vetëm në politikën e brendshme amerikane, por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Milo thekson se në raportet me Europën, Trump do priret në lidhjet me liderë të vendeve të veçanta si Meloni, Orban, dhe jo te politikat tradicionale euro-atlantike. Sipas Milos mesazhet e para të Trump-it janë “shumë të forta dhe impresionuese”, ku mund të kërkojë edhe ndryshimin e rendit ndërkombëtar.
“Mund të presim shumë gjëra, por mund të mos dimë asgjë se çfarë mund të bëhet në Presidencën e dytë të z.Trump. Duke qenë se është President atipik, ai ka një mënyrë të vepruari që është jashtë normalitetit, që ne jemi mësuar të gjykojmë veprimtarinë e presidentëve amerikanë ndër vite. Do ketë patjetër ndryshime të mëdha, jo vetëm në politikën e brendshme amerikane, por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Po jep mesazhe për mënyrën si do qeveriset. Me vendimet e para po përcakton linjat e qeverisjes së tij dhe janë çështje që kanë ngjallur sensibilitet të madh te zgjedhësit amerikan. Një është çështja e emigracionit ilegal nga Meksika. Këtë herë është rikthyer me idenë që ta zgjidhë përfundimisht me dy etapa. Në radhë të parë do goditen ata persona të lidhur me krimin, në ndjekje penale, dhe pastaj do vijë një etapë e dytë e largimit të atyre që s’kanë dokumente. Mund të çojë edhe në ndryshimin e ligjit, që kush lind në SHBA automatikisht merr nënshtetësinë amerikane, ka dyshime se edhe ajo mund të hiqet.
Është vërtet një fenomen që është aktual dhe në shkallë botërore. Fenomeni i influencës së oligarkive në jetën politike, ekonomike, sociale, është i pranishëm. Ka një shtim të aktivitetit të tyre, saqë mund të vihen në dyshim strukturat kushtetuese, politike, për t’u dhënë përparësi atyre. Evropa është e shqetësuar për shumë gjëra me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në radhë të parë me problemet e sigurisë, sepse ai ka dhënë mesazhe jo enkurajuese se do vazhdojë e njëjta politikë e bashkëpunimit euro-atlantik.
Trump më shumë do priret në lidhjet me liderët e disa vendeve të veçanta si Meloni, Orban. Ai kërkon të zhvendosë aksin e vet nga dominimi i politikave tradicionale euro-atlantiste, drejt krijimit të një poli të ri europian, jo dhe aq i bashkuar. Trump s’ka shumë qejf të lidhet me BE si një institucion përfaqësues i krejt Europës. Mund t’i bashkohet rrymës për të rikonceptuar rendin ndërkombëtar, pa hequr dorë nga objektivi që Amerika të jetë në krye dhe ta dominojë këtë sistem”.



