
Kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaci nuk ka arritur të bindë krerët e koalicionit qeverisës për idenë e tij, rreth ndryshimit apo shkëmbimit të territorit me Serbinë. Në takimin e së enjtes me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin, Kadri Veseli dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, presidenti Thaçi nuk ka arritur t’i bindë ata që korrigjimi i kufijve, duhet të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë.
Këmbëngulja e Thaçit në idenë e tij, për ndryshim kufijsh ka bërë që opozita nga ana tjetër të paralajmërojë protesta. Përveç VV-së , deputetët Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, nga radhët e LDK-së kanë bërë thirrje për organizimin e protestave. Takimi i Thaçit me kryetarët institucionalë të Kosovës për të diskutuar rreth mundësisë së korrigjimit të kufijve, vjen pak ditë para takimit të radhës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Edhe këtë herë, kreu i shtetit nuk ia ka dalë të marrë mbështetjen e partnerëve të koalicionit lidhur me këtë çështje.
Vetë kreu i ekzekutivit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit ka thënë se pjesë e bisedës me presidentin Thaçi kanë qenë takimet në Bruksel. “Ajo çfarë ka rëndësi është se presidenti është shprehur qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj pas këtij takimi.
Ndërkohë, opozita, megjithë thirrjet e saj paralajmëruese për protestë, e ka përforcuar mbajtjen e saj, më 7 shtator, ditën kur do të zhvillohet edhe takimi i radhës në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, nën udhëheqjen e përfaqësues së jashtme të Bashkimit Europian, Frederica Mogherini.
Megjithatë, opozitarët nuk do të organizojnë protestë para së martës, atëherë kur është parashikuar që në seancën e jashtëzakonshme e Kuvendit pritet të miratohet një rezolutë, në të cilën do të shprehet qëndrimi i popullit kundër “korrigjimit të kufijve” me Serbinë.



