Problemi nuk është Berisha, është berishizmi (Video)

Problemi nuk është Berisha, është berishizmi (Video)

Nga Mustafa Nano

Inat ta kemi, por hakun mos t’ia hamë. E kam fjalën për Sali Berishën, i cili është një personazh i fortë, absolutisht i fortë, me ndikim tek një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare. Në fakt, kjo kategori mbështetësish të tij që nuk përbën shumicën, por vetëm pakicën, përfaqëson pjesën më të prapambetur, më reaksionare e më konservatore (“konservator” në planin kulturor dhe jo në atë politik). Megjithatë, Berisha vijon të ketë ndikim mbi këta njerëz, edhe në ditët e sotme që janë ditët më të zeza të karrierës së tij politike. Ai po tenton të ringrihet rrënojash. Dhe është për t’u admiruar për forcën që ka. Dhe këtë po jua them unë, kur tashmë dihet mendimi im në lidhje me këtë personazh. Mes të gjithë njerëzve që njoh, e që në një mënyrë a në një tjetër kanë ndikim në jetën time, dhe në jetën e komunitetit e shoqërisë që unë i përkas, nuk ka një tjetër njeri për të cilin unë mund të kem një mendim më të keq sesa ai që kam për Berishën, me të cilin më ndan një hendek i madh në terma politikë, kulturorë e në të gjithë termat e mundshëm. Unë e përbuz Berishën. Literalisht e përbuz. E përbuz për atë që ka bërë, për çfarë ka thënë e vazhdon të thotë, dhe për çfarë ai përfaqëson.
Megjithatë, që të jem intelektualisht i ndershëm, nuk mund të bëj sikur nuk e shoh që duket, dmth që ai është një personazh i fortë, mbetet i fortë, me ndikim në shoqërinë shqiptare. Edhe i mbaruar, ai vijon të ketë një ndikim. Për rrjedhojë, ai vijon të mbetet një problem.
Por problemi nuk është Sali Berisha, i cili është 80 vjeç. Ai është në grahmat e fundit biologjike dhe politike. Problemi janë berishianët që do të mbeten këtu edhe kur Berisha të mos jetë më. Problemi është berishizmi.
Në terma politikë njeriu më i fortë në harkun e tridhjetë viteve është Edi Rama. Sot, Edi Rama është më i fortë sesa Berisha në ditët e tij më të mira. Ai është më i fortë sesa Berisha + Basha + Meta + gjithë të tjerët. Por Edi Rama u jep një avantazh kundërshtarëve të tij politikë, atyre që janë të papajtueshëm me të. Ai u jep avantazh, sepse përballë u nxjerr vetëm Edi Ramën, dhe jo ediramizmin. Pra, ka Edi Rama, por nuk ka ediramizëm. Edhe sikur për një moment të pranojmë se ekziston një ediramizëm, ky fenomen do të jetë shumë më i zbehtë sesa berishizmi.
Çfarë kuptoj unë me berishizëm? Një numër gjërash, në fakt, të cilat përbëjnë kulturën politike tonën. Dhe me “tonën” nënkuptoj të të gjithëve, të Bashës, të Metës, të Ramës, apo dhe të Muç Nanos, nëse dëshironi. Le të marrim për shembull, një nga tiparet që karakterizon berishizmin, që janë opozitat e dhunshme në rrugë, protestat e dhunshme opozitare. Në kulturën politike shqiptare, kjo është një shpikje e Berishës. Madje, edhe tani që po organizon foltoren nuk ka harruar t’u thotë mbështetësve të vetë se do të dalin nëpër protesta. Para disa ditësh, në Berat, tha se “...do të bëjmë protestat më të mëdha që kemi parë ndonjëherë”. Ai, gjithashtu, shtoi se “... ne do të luftojmë në mbrojtje të lirisë, të votës sonë të lirë”.
Pakkush kujtohet që ta kritikojë këtë lloj sjelljeje, këtë praktikë. Kjo nuk ndodh, sepse opozita e dhunshme në rrugë është bërë një gjë normale, është kthyer në një standard të jetës politike shqiptare. Edhe socialistët kur kanë qenë në opozitë, dilnin shpesh në rrugë. Madje, ata kanë organizuar gjithashtu protesta të dhunshme. Jam i sigurt se kjo gjë atyre iu është dukur e natyrshme, sepse nëse nuk do të bënin protesta të dhunshme në disa rrethana - për shkak të faktit se një praktikë e tillë është standardizuar dhe është bërë pjesë e jetës normale - ata do të gjykoheshin si një opozitë e mbaruar, për të mos thënë e shitur. Pjesa më e madhe e atyre njerëzve që bëjnë opinion në Shqipëri, do ta qortonin e do ta konsideronin një opozitë frikacake. Ne jemi mësuar ta legjitimojmë, ta kuptojmë, ta tolerojmë një opozitë të dhunshme.
Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ka pasur edhe momente kur ka qenë realisht e detyrueshme për të dalë në rrugë e për të bërë protesta të forta. Për shembull, është viti 1997, kur shqiptarëve po u merreshin paratë nga xhepat, gjë e cila po bëhej me ndihmën e qeverisë që toleroi firmat piramidale. Dhe ishte e njëjta qeveri që pak muaj më herët kishte dhunuar deputetët e opozitës në Sheshin Skënderbej. Në vitin 1998, u vra lideri i opozitës, në mes të Tiranës. Sipas gjykatës që gjykoi çështjen, ai u vra për motive gangosh. Por kjo ka pak rëndësi. Në 21 janar të vitit 2011, pushteti dha urdhër të qëllohej me plumba mbi njerëz të pafajshëm e të parrezikshëm. Për rrjedhojë, në bulevardin kryesor u vranë katër njerëz. Prandaj, opozita do të dilte në rrugë.
Megjithatë, këto janë disa momente politike. Në pjesën tjetër të kohës, gjatë këtyre viteve, ne kemi jetuar në rrethana normale, ku çdo opozitë ka qenë e lejuar të ushtrojë aktivitetin e vet konform ligjit; ka qenë e lejuar të komunikojë me mbështetësit e vet; ka qenë e lejuar t’u ofrojë shqiptarëve alternativën e vet qeverisëse. Për opozitën, dhe me opozitën, është folur nëpër studiot televizive. Opozita ka pasur mundësi të ngrejë zërin nëpër institucione e në Parlament. Në rrethana të tilla, opozita duhet të bëjë të vetën nëpër institucione, ashtu siç ndodh kudo. Opozitat nuk bëjnë protesta në rrugë, për aq kohë sa kanë mundësi ta ngrenë zërin nëpër institucione. Për këtë arsye, opozitat shqiptare duhet ta heqin “rrugën” nga fjalori i tyre politik, dhe duhet t’i zhvillojnë betejat e tyre nëpër institucione. Kjo do të ishte një mënyrë shumë e mirë për të nisur një proces të distancimit nga kultura politike e berishizmit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy