
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar sot shembjen e murit të Berlinit, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Çdo mur, që na ndan sot nga Evropa e Bashkuar, është i destinuar të shembet!” shprehet Meta.
Gjithashtu, i pari i shtetit tha se liria, të drejtat dhe dinjiteti njerëzor, demokracia dhe shteti i së drejtës “do të triumfojnë padiskutim”.
Sipas presidentit Meta, “do të afrohemi më shpejt drejt Evropës”, nëse qëndrojmë të bashkuar rreth këtyre vlerave.
Muri i Berlinit ishte një kufi midisi njerëzve, kurse sot është një simbol i bashkimit jo vetëm të Gjermanisë por i gjithë Evropës.
Copëza të këtij muri, gjenden kudo të shpërndara, një pjesë e saj ndodhet edhe në Tiranë. Qëllimi, ishte kujtesa.
Muri i Berlinit shtrihej rreth 155 kilometra në gjatësi përreth Berlinit perëndimor. Segmenti i betonizuar ishte rreth 106 kilometra. Lartësia, 3.6 metra.
Në vitin 1989, komunizmi filloi të binte në gjithë Evropën qendrore dhe lindore. Kulmimi, vjen më 9 nëntorin e largët të para 32 vjetëve, kur në Berlin, muri i lartë i betontë, i cili ndante pjesën perëndimore nga ajo lindore, ra.
Për 28 vjet, muri do të ndante fizikisht, por mbi të gjitha ideologjikisht, një popull të tërë gjerman dhe një bashkësi të tërë evropiane.



