“Xhadat”- Bashkia e Tiranës nuk llogarit dot 13.5m2, sorollat qytetarin nga një drejtori në tjetrën!

“Xhadat”- Bashkia e Tiranës nuk llogarit dot 13.5m2, sorollat qytetarin nga një drejtori në tjetrën!

Investigimi i emisionit “Xhadat” në MCN TV mbi pronën e z. Kadri Demneri, e cila është përfshirë në projektin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e trotuarit, rikthehet me zhvillime të reja. 

 

Pas ankesës së qytetarit, Bashkia pranoi fillimisht se sipërfaqja e prekur nga projekti ishte 13.5 metra katrorë dhe jo 7.8 metra katrorë, siç ishte përcaktuar në dokumentacionin paraprak. Por në përgjigjen e fundit, institucioni rikthehet sërish te shifra 7.8 metra katrorë, duke bërë që qytetari të mos ketë ende një përgjigje përfundimtare mbi sipërfaqen e pronës që do të shpronësohet.

 

Në pjesën e parë të investigimit, gazetari Ersid Karaj dhe z. Kadri Demneri matën sipërfaqen e pronës që ishte përfshirë në projektin e trotuarit. Pas paraqitjes së ankesës pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, përfaqësuesja e institucionit i bëri të ditur qytetarit se vlera e përcaktuar në shkresë ishte paraprake dhe se ai kishte të drejtë ta kundërshtonte. Pas shqyrtimit të ankesës, Bashkia e Tiranës i ktheu përgjigje duke pranuar se sipërfaqja ishte 13.5 metra katrorë dhe jo 7.8.

 

Por kur qytetari kërkoi të sqarohej edhe për pagesën e shpronësimit dhe nëse emri i tij ishte përfshirë në listën e përfituesve, nisi një tjetër rrugëtim mes zyrave të administratës. Fillimisht, Bashkia e orientoi drejt Drejtorisë së Financës, por atje qytetari dhe gazetari u përballën me pengesa për të marrë informacion. Madje, punonjësi i policisë bashkiake nuk lejoi as qytetarin të futej i vetëm në ambientet e drejtorisë për të kërkuar sqarime.

 

Në përgjigjen e mëvonshme, Bashkia i riktheu sërish shifrën prej 7.8 metrash katrorë, duke theksuar se çështja po verifikohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit të Investimeve dhe Monitorimit të Punëve Publike. Kështu, qytetari u përball me dy përgjigje të ndryshme nga i njëjti institucion, pa një matje përfundimtare që të sqaronte se cila ishte sipërfaqja reale e pronës së prekur.

 

Gazetari iu drejtua kësaj drejtorie, por fillimisht nuk arriti ta gjente në adresën ku ishte orientuar nga punonjësit e Bashkisë. Pas zhvendosjes në një tjetër godinë, ekipi u përball me një tjetër debat për hyrjen me kamerë. Një punonjës pranoi të takonte qytetarin pa praninë e gazetarit, por sipas z. Kadri, takimi nuk solli asnjë sqarim konkret.

 

Pas disa orientimeve nga një zyrë në tjetrën, gazetari arriti të takonte drejtoreshën e Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit të Investimeve dhe Monitorimit të Punëve Publike, Alika Dulja. Ajo mohoi që drejtoria e saj të kryente matje në terren dhe deklaroi se merrej vetëm me zbatimin e projektit. Sipas saj, çështja e pronës së z. Kadri duhej të trajtohej nga Drejtoria e Shpronësimit, Inventarizimit dhe Zhvillimit të Pronës, pranë Torre Drinit.

 

Por edhe në këtë drejtori, përgjigjja ishte e kundërt. Punonjësja shpjegoi se institucioni i saj përgatit dokumentacionin mbi bazën e projektit dhe ia përcjell ministrisë për procedurat e miratimit të shpronësimit, ndërsa matjet dhe piketimet kryhen nga drejtoria që planifikon projektin. Pra, dy drejtoritë e Bashkisë e orientonin qytetarin te njëra-tjetra, pa marrë përsipër përgjegjësinë për të sqaruar sipërfaqen e pronës.

 

Pas këtij komunikimi, gazetari u rikthye te drejtoresha Alika Dulja, duke i vënë në dukje mospërputhjen mes deklaratave të dy drejtorive. Gjatë debatit, drejtoresha mohoi se kolegia e saj kishte dhënë orientimin e përmendur nga gazetari. Në fund, ajo u shpreh se do të vinte në dispozicion një inxhinier topograf për të kryer matjen e pronës dhe se z. Kadri do të njoftohej për vijimin e procedurës.

 

Më 21 tetor, qytetari u takua sërish me ekipin e “Xhadat” pranë pronës së tij, pasi ishte njoftuar se do të vinte një inxhinier për matjen. Pas komunikimit me drejtoreshën, gazetari mori kontaktin e inxhinierit, i cili fillimisht caktoi një takim për ditën pasardhëse. Në vend të tij, në terren mbërriti një tjetër inxhinier, i cili deklaroi se ishte privat dhe se ishte paraqitur vetëm për të kryer matjet.

 

Matja u krye, por sipërfaqja nuk u bë e ditur në vend. Inxhinieri shpjegoi se llogaritja përfundimtare do të përpunohej në kompjuter. Pas disa ditësh, kur gazetari e kontaktoi për të mësuar nëse rezultatet ishin dorëzuar në Bashki, inxhinieri deklaroi se nuk e kishte përfunduar punën dhe se nuk dëshironte të merrej më me këtë çështje. Ai mohoi gjithashtu të kishte pasur komunikim të drejtpërdrejtë me drejtoreshën Alika Dulja, duke thënë se kërkesa i kishte ardhur përmes një kolegu.

 

Nga ana tjetër, në komunikimin telefonik me gazetarin, Alika Dulja deklaroi se inxhinieri nuk ishte tërhequr dhe se matjet ishin dorëzuar. Ajo nuk dha një shifër përfundimtare, por u shpreh se pretendimi i z. Kadri ishte i drejtë dhe kërkoi kohë deri në përfundimin e procedurës, pas së cilës Bashkia do t’i kthente përgjigje qytetarit.

 

Deri në këtë fazë, qytetari kishte marrë përgjigje të ndryshme, ishte orientuar në disa drejtori dhe kishte pritur për një matje që ende nuk ishte bërë transparente. Për të ilustruar sa e thjeshtë ishte llogaritja që institucionet nuk po arrinin ta sqaronin, gazetari iu drejtua edhe një vajze të vogël, Arias, nxënëse e klasës së pestë, të cilës i dha për të llogaritur përmasat 1.80 me 7.50 metra.

 

Aria e bëri shumë shpejt përllogaritjen dhe dha rezultatin: 13.5 metra katrorë.

 

Një llogaritje që për një nxënëse të klasës së pestë zgjati vetëm pak sekonda, por që për Bashkinë e Tiranës është kthyer në një procedurë që ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare. 

 

Ndërkohë, z. Kadri vijon të presë sqarimin zyrtar për sipërfaqen e pronës së tij dhe vlerën e shpronësimit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy