
Autori i krimit të rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në Kuçovë, Vangjel Polovina ka dëshmuar para oficerëve të krimit se si ka ndodhur ngjarja dhe motivin e saj. Vangjel Polovina mësohet se e ka pranuar krimin, pas arrestimit nga policia dhe ka deklaruar të plotë versionin e tij të ngjarjes.
Si është shprehur se viktima e ka kërcënuar se do ta vriste, ndërsa nuk i kishte asnjë borxh lidhur me stallën që i kishte marrë me qira prej muajsh.
“Unë i kisha marrë me qira Ajetit një stallë derrash në fshatin Perondi, ku edhe jetoj. Deri në vitin 2019 i kisha paguar rregullisht të gjitha detyrimet e qirasë, dritave dhe ujit të kësaj godine. Në vitin 2020 isha vonuar në disa muaj pagesash dhe kur erdhi Ajeti nga Aglia disa javë më parë më kërkoi të takoheshim. U takuam dhe pasi i thashë që nuk kisha lekë gjendje për ta paguar, ramë dakord që borxhin në lekë ta likujdoja me mish. Dy ditë para vrasjes, i kam dhënë Ajetit 46 kg mish, që korrespondonin në vlerë lekësh me borxhin që i kisha mbetur për 2 muaj e gjysmë qira.
Unë mendova se u likujduam por Ajeti më mori në telefon një ditë më vonë, dmth natën para vrasjes. Unë nuk e kisha ndjerë telefonin dhe kur u zgjova në mëngjes e pashë që më kishte telefonuar dhe e mora mbrapsht. Sapo ma hapi telefonin, pa më lënë as ta përshëndes më ka sharë dhe më tha “do të vras, do të heq qafe”.
Në këtë moment,kam hipur në mjetin tim “furgon” dhe në sediljen e pasagjerit vendosa kallashnikovin. Vajta tek lokali ku ai pinte kafen dhe pa zbritur nga makina i thirra për t’u afruar. Ajeti, sapo më pa, më erdhi drejt me vrap duke më sharë dhe me një karrige në dorë për të më qëlluar, pa e ditur se unë kisha armë me vete”. Në këtë moment, kam dalë jashtë me armën në dorë dhe kam qëlluar një herë në ajër për t’u shpërndarë personat e tjerë që ndodheshin në lokal.
Ajeti filloi të bridhte me vrap dhe u rrëzua në tokë. Aty kam filluar të gjuaj me breshëri në drejtim të tij dhe pasi shkreha 1 karikator të tërë kallashnikovi u largova me furgon nga vendngjarja”, ka thënë 44-vjeçari Vangjel Polovina.



