Mjekët në spitalin e Beratit flasin për një valë të re virozash, si rezultat i ndryshimit të kushteve të motit, ku fëmijë nga 0 në 15 vjeç kanë mbushur urgjencën për ndihmë shëndetësore. Mjekët thonë se kjo virozë shoqërohet me temperatura të larta tek fëmijët ndaj apelojnë prindërit të mos e neglizhojnë këtë simptomë që mund të shkaktojë edhe dëmtim të trurit tek të vegjlit.
Ndryshimi i stinëve dhe temperaturat e larta që kanë mbërritur në vend, kanë sjellë një valë të re virozash në Berat, ku në Repartin e Pediatrisë pranë spitalit rajonal, por dhe pranë qendrave shëndetësore janë shtuar rastet ku prindërit kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre. Të miturit nga 0 deri në 15 vjeç, janë vizitorët e shtuar të spitalit, me probleme në rrugët respiratore dhe ulje të ndjeshme të rezistencës.
Mjeku pediatër Vladimir Kumaraku thotë se virozat e kësaj stine janë shoqëruar me një temperaturë tepër të lartë tek fëmijët dhe për këtë ai ka një rekomandim të posaçëm për prindërit.
Vladimir Kumaraku, mjek pediatër: “Në qofte së nuk do të vlerësohet në kohë menjëherë sapo të fillojë temperatura me ethet të jepet ndihma e parë e familjes dhe të sillet menjëherë në spital, fëmija rrezikon të ketë kriza nga temperatura e lartë, gjë që natyrisht çon në prishjen e komfortit të fëmijës”.
Sipas mjekëve, prindërit duhet të kenë kujdes me temperaturën tek fëmijët, pasi mund të ketë komplikacione deri në dëmtim të trurit.



