
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasditen e sotme ka zhvilluar një takim me banorët e njësisë nr 1 dhe 3 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij ish-kryeministri u ndal te protesta e 6 dhjetorit, ditën kur do të mbahet samiti i Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Berisha tha dalja e opozitës në bulevard atë ditë është një përshëndetje dhe mirëpirtje për të gjithë liderët e BE, që gjatë këtyre 30 viteve i kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Shqipërisë.
Më tej Berisha tha se opozita do dalë në shesh edhe për ti provuar miqve të Europës se jemi një komb pa të ardhme, dhe atyre do ju tregojmë Shqipërinë e vërtetë, jo atë të miliona euro lobingjeve
Dalja jonë në protestë në datën 6 dhjetor është një detyrim, mision për të përfaqësuar në atë protestë dhe shprehur të gjitha të vërtetat e fshehura të realitetit shqiptar.
Të gjitha problematikat e thella të krijuara nga një regjim i cili pas diktakturës hoxhiste është edhe regjimi më i urryer për shqiptarët në tërë historinë e tyre, regjimi i Edi Ramës.
Ne dalim në shesh, për tu provuar miqve që vijnë nga mbarë Europa, mbi 1 mijë gazetarë se pas lustrës, mashtrimeve dhe manipulimit, pas gënjeshtrave dhe propagandës false të bazuar në qindra milionë euro lobime, etj., qëndron një Shqipëri tjetër, një komb që po pakësohet më shpejt se në çdo luftë, epidemi në tërë historinë e tij.
Qëndron një komb, të cilit makineria shtetërore, i vjedh çdo ditë buxhetin, pasuritë publike, pasi i ka vjedhur votën, i ka rrëmbyer dhe shpresën. Qëndron pra një komb, defakto në këtë gjendje që është të ardhme nuk ka, sepse e ardhmja po emigron masivisht. Të rinjtë shqiptarë largohen më shumë se sa të rinjtë sirianë që janë në luftë civile. Përveç kësaj, qytetarët varfërohen, çdo vit e më shumë, ndërkohë qeveritarët pasurohen.
Tutje, Berisha, tha se Rama i tmerruar nga protesta, anuloi pushimin e administratës, se ata do të derdheshin në shesh për protestën.
Edi Rama është tmerruar nga protesta dhe po të keni vënë re ju, të gjitha antenat e tyre, të gjithë gazetat dhe portalet e tyre, duan ta paraqesin sikur po bëhet kiameti në datën 6.
Në datën 6 është triumfi i popullit opozitar, i cili do ti thotë Europës dhe botës se ky kryeministër është një mafie, mafioz i rrezikshëm për popullin e tij, se kjo qeveri është mafioze.
Se vërtetë jeni në Shqipëri, por ata institucione perëndimore që vlerësojnë funksionimin e shtetit ligjor, kanë gjetur Shqipërinë që është. 53 vende nën Kosovën, sepse Kosova zbaton ligjin, që do të thotë barazi para ligjit, garanci për të drejtat e njeriut.
Po nuk ndalet me kaq. Është 4 vende poshtë Vietnamit komunist.
Shkoni ju në gjykata, nuk fitohen procese kundër qeverisë më, të gjitha i fiton me telefon Edi Rama me Engjëll Agaçi. Ky pra është një motiv tjetër themelor që në datën 6 të protestojmë për çdo shqiptar që nuk mund të jetë i pranishëm aty.
E morët vesh çfarë bëri. E anuloi ditën e pushimit për administratën, sepse u tmerrua, sepse administrata mund të dilte në protestë me ne. I bëj thirrje administratës të vijnë tek ne. Kur kuptoi që administrata e tërë do të derdhej në shesh, e anuloi tha ka qenë lajm i rremë, kur ata ishin njoftuar të gjithë.



