Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rustemi, për marrëveshjen e arritur pa nënshkrim mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, ku u pajtuan me aneksin e zbatimit të saj për normalizim të marrëdhënieve të aprovuar me një deklaratë të Bashkimit Europian, thotë se Serbia i iku nënshkrimit, ndonëse Kosova ka qenë e gatshme që në muajin shkurt për ta bërë diçka të tillë.
Duke folur në një lidhje për MCN Live, Rustemi deklaroi se nga takimi ka rezultuar plan i zbatimit të parimeve të marrëveshjes dhe se tashmë i mbetet BE të përcaktojë mekanizmat se si do të bëhet e zbatueshme kjo marrëveshje.
Marrëveshja duhet të implementohet si e tëra dhe në kohë të caktuara mund të paraqiten elementë më prioritarë, por marrëveshja duhet të përmbushet në të gjithë elementët e saj.
Kjo marrëveshje është një njohje de fakto e dy shteteve, trajtim i barabartë, mbi bazën e respektimit të sovranitetit territorial dhe mos pengimi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Marrëveshja ka një periudhë 5 mujore të zbatimit dhe në fund të kësaj periudhe do organizohet konferencë e donatorëve nga BE dhe të tjerë, për një pako mbështetëse për të dy vendet.
Për pika të caktuara mund të fillohen diskutime për konkretizim që në ditët e ardhshme. As marrëveshja e parimeve dhe as aneksi i saj, nuk e përmend asociacionin.
Pika 7 e marrëveshjes së parimeve, flet për një masë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, mbi bazë të parimeve europiane dhe Konventën për paketën e pakicave.
Kushtetuta e Kosovës e ka të implentuar Konventën për të drejtën e pakicave. Nocioni vetëmenaxhim, ka zëvendësuar nocionin vetëqeverisje që ka qenë në propozimin e parë franko-gjerman.
Se vetëmenaxhimi përcakton angazhim teknik, për të realizuar me efikasitet të autorizimeve që kanë tashmë komunat. Mund të ketë tendenca për interpretime, por për palën e Kosovës çdo gjë është e qartë.
Për SHBA vetëmenaxhimi duhet të jetë në përputhje me të drejtat ndërkombëtare dhe nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës.
Vuçiç ka pasur raste kur ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën, si Daçiç në 2013, por Serbia kur ka përpara një draft në interes të saj, nuk heziton të nënshkruajë.
Për marrëveshjen e propozuar në bazë të planit franko-gjerman që njeh reciprocitetin, heziton të vendosë nënshkrimin dhe firmën.
I mbetet Bashkimit Europian të krijojë mekanimza se si e shndërron këtë propozim në marrëveshje.
Aneksi i dakordësuar mes dy vendeve është shtojcë integrale e marrëveshjes bazë dhe parashikon që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe këtë aneks, dhe të implementojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ajo.



