Donjaldo hoxha, drejtor i shoqatës së përpunimit të qumështit foli në edicionin e lajmeve në MCN Tv mbi rënien e prodhimit të qumështit dhe rritjen e kostove dhe e çmimeve të prodhimeve bujqësore edhe blegtorale. Hoxha theksoi se ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë situatë, në radhë të parë informaliteti i lartë në sektorin e përpunimit të qumështit. Hoxha po ashtu vuri në dukje se skema e subvencionit që zbatohet në vendin tonë, që bëhet për numër krerësh është e gabuar. Ai tha se Shqipëria duhet të zbatojë të njëjtën skemë si rajoni, ku blegtori subvencionohet për litër qumështi, çka sipas tij do të luftojë informalitetin. “Janë disa elementë dhe faktorë që kanë ndikuar në këtë situatë, ku ndër më kryesoërt në radhë të parë është informaliteti i lartë në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit që pengon zhvillimin dhe rritjen e mëtejshme të sektorit. Kjo është pengesa kryesore që fermerët të standardizohen dhe kostot e tyre të ulen dhe gjithë sektori i përpunimit të qumështit të jetë në filtra kontrolli. Një element i dytë që ka ndikuar në këtë rënie ka të bëjë me rritjen e kostove për mbarshtrimin e kafshëve. Shumë prej blegtorëve kanë zgjedhur për ta braktisur këtë sektor. Një tjetër element që ka ndikuar ka qenë mungesa e mbështetjeve ndaj blegtorëve që të amortizonin kostot dhe çmimet e larta të lëndës së parë. Një impakt kanë pasur edhe efektet sociale apo demografike të popullsisë, që shumë pak trashëgohet blegtoria te fëmijët. Por faktori kryesor ka qenë informaliteti, rritja e kostove dhe mungesa e duhur subvencioneve. Është më i madh numri i fermave të vogla që braktisin sektorin se sa rritja e fermave të mëdha. Elementi kryesor që ka ndikuar është rritja e kostove që mos ketë interes për blegtorin për të mbarështruar kafshët e veta. Shumë blegtorë kanë operuar me humbje dhe kanë braktisur më tej sektorin. Çdo masë dhe ndihmë do ishte e mirëpritur sepse do ndikonte. Subvencionet luajnë një rol shumë të rëndësishëm, për të mos thënë më të rëndësishmin. Skemat tona të subvencioneve duhet të përafrohen me rajonit. Në Shqipëri kemi subvencion vetëm për krerë, ndërsa në rajon kemi subvencion për prodhimin. Sa më shumë prodhon aq më shumë subvencionohesh. Ky mekanizëm ka bërë që të rritet numri i krerëve dhe të luftohet informaliteti. Lëndën e parë prodhuese e importojnë dhe rritja e çmimit të këtyre lëndëve në tregun botëror, i transferoi kostot në vendin tonë. Edhe çmimi i lartë i naftës në vitin 2022, bën që kostoja e prodhimit të ishte shumë më e lartë. Aktualisht skema e subvencionit nuk jep mbështetjen e duhur ndaj blegtorëve. Skema për krerë nuk nxit formalizim. Nëse do kishim subvencion mbi bazë të prodhimit, për litër qumësht, ai është i interesuar që çdo litër qumësht ta çojë në qendrat e përpunimit”, tha Hoxha. “Çdo konsumator që blen një produkt duhet të jetë i etiketuar. Çdo produkt që konsumohet duhet të kërkohet që të jetë i etiketuar, në çdo rast instancat mund të bëjnë gjurmimin. Garantohet gjurmueshmëria e të gjithë ciklit. Me produkte të paetiketuara jemi të rrezikuar. Në vendin tonë vetëm 11-15 për qind kalon në filtra përpunimi të kontrolluara, pjesa tjetër është në informalitet”, shtoi ai.



