Prokuoria e Posaçme ka mbyllur hetimet, në lidhje me vrasjen e Santiago Malkos, më datë 27 gusht të 2019-s, në zonën e Porcelanit në kryeqytet.
Dosja është dërguar në gjykatën Speciale, ndërsa prokuroria ka si të dyshuar kryesor Blendi Tetën, i arrestuar pak kohë pas vrasjes së ish-efektivit.
39-vjeçari Blendi Teta është parë në kamerat e sigurisë pranë vendit të krimit, kur ka ndodhur vrasja e ish-policit Santiago Malko.
Kjo ka bërë që ndaj tij të ngrihen dyshime se mund të jetë bashkëpunëtor në vrasje. Por në dëshminë e tij para grupit hetimor, 39-vjeçari ka deklaruar se ka qenë vetëm kalimtar i rastit dhe se nuk ka lidhje me ngjarjen.
26-vjeçari Santiago Malko ka qenë një emër i njohur, pasi në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit.
Po në vitin 2016 rezulton se Santiago Malko ka pasur një përplasje me vëllezërit Edmond dhe Gentian Llashi, në lokalin e këtyre të fundit.
Pas arrestimit të 39-vjeçarit Teta, policia arriti të identifikojë edhe disa persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Malkos, por siç mëson TvT, SPAK ka veçuar dosjen e Tetës nga të dyshuarit e tjerë.



