
Bashkimi Europian nuk ka bërë aq sa duhet në drejtim të avancimit të reformave themelore të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Ky është konkluzioni i një raporti të posaçëm të publikuar nga Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA).
Në Ballkanin Perëndimor ka pasur progres në drejtim të reformave teknike dhe operacionale. Por për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe mungesës së angazhimit, mbështetja e BE-së ka qenë kryesisht e pamjaftueshme për të trajtuar problemet e vazhdueshme në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, përqendrimi i pushtetit, ndërhyrja politike dhe korrupsioni, thuhet në raport.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë vende kandidate, dhe Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë kandidatë potencialë për anëtarësim në BE. Megjithatë, të gjitha këto vende vazhdojnë të përballen me çështje në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Për më shumë se dy dekada, BE-ja është përpjekur t'i ndihmojë ato në zbatimin e reformave. Ndihma e BE-së është kanalizuar në dy drejtime: mbështetje financiare (në shumën prej rreth 700 milionë euro midis 2014 dhe 2020) dhe dialogu politik.
Raporti evidenton se masat për të adresuar kapacitetet e dobëta administrative dhe vullnetin politik – që të dyja janë thelbësore – janë shumë të pakta dhe shpesh joefektive.
Gjithashtu, theksi vihet edhe në aplikimin jo konsistent të parakushteve për financimin dhe zbatimin e projektit. Në mënyrë të ngjashme, BE-ja ka shfrytëzuar shumë rrallë mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një përfitues nuk i ka respektuar parimet bazë të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Në fund të raportit thuhet se mbështetja e BE-së për shoqërinë civile është e pamjaftueshme në përmbushjen e nevojave të sektorit dhe kryesisht e bazuar në projekte afatshkurtra.
“Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë qartësisht e suksesshme në sjelljen e ndryshimeve me shumicë”, tha Juhan Parts, anëtar i Gjykatës Evropiane të Audituesve përgjegjës për raportin. “Progresi modest i bërë gjatë 20 viteve të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të mbështetjes së BE-së të ofruar në procesin e anëtarësimit. Reformat e vazhdueshme e humbasin besueshmërinë nëse nuk japin rezultate të prekshme”.



