
Për Italinë ka ardhur momenti i “provimit”. Pasi është miratuar nga qeveria dhe është dekretuar nga presidenti, programi ekonomik që njihet si manovra italiane, do të vlerësohet nga ekspertët e Komisionit Europian në Strasburg.
“E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika”, ka thënë zëvendëskryeministri Luigi di Maio, duke shtuar se tregjet e duan më shumë Italinë sesa komisionerët europianë.
Ndërkohë, shenjat se Komisioni Europian do ta kthejë për rishqyrtim dekretin fiskal kanë qenë të qarta ditët e fundit. Kryeministri austriak, Sebastian Kurz, tha dje se Komisioni nuk duhet t’i hapë dritën jeshile kësaj manovre.
Ditë më parë, kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, paralajmëroi përgjigjen negative për Italinë. Ai tha se nëse i thuhet po Italisë për një devijim të tillë, Komisioni Europian do të hidhte një hap të papranueshëm për vendet e tjetra anëtare.
Në një rast të tillë, Italisë i lihen 3 javë kohë për ta hartuar nga e para manovrën e re të vitit 2019.
Kuota 100 dhe pensionet e atyre që gëzojnë të drejtën e të qenit qytetarë italianë janë dy shtyllat mbi të cilat mbështetet manovra ekonomike për vitin 2019, e propozuar nga qeveria Conte.
Në kontratën e bashkëqeverisjes mes Lega-s dhe Lëvizjes 5 Yjet, një hapësirë e veçantë i ishte lënë pensionet, si një element me të cilin kabineti i ri do të çmontonte ligjin Fornero, reforma e fundit në sigurimet shoqërore që Italia ka miratuar në dhjetor të vitit 2011.
Kuota 100 është një sistem që parashikon daljen në pension të një individi kur shuma e moshës së tij dhe vitet e kontributeve kalojnë një prag të caktuar, i cili është fiksuar në 100. P.sh një 64-vjeçar mund të dalë në pension nëse ka të paktën 36 vjet kontribute.
Ky sistem parashikon një opsionin për femrat, i cili u lejon grave që kanë punuar në sektorin publik dhe privat të dalin në pension në moshën 58-vjeçare me 35 vjet kontribute.
Ndërkohë, pensionet e atyre që kanë shtetësi italiane parashikohen në masën 780 euro, një shifër kjo shumë më e lartë se kuota minimale prej 500 eurosh. Këto të ardhura u takojnë të gjithë të moshuarve që nuk mund të punojnë më dhe janë nën kufirin e varfërisë.



