
Bashkia e Tiranës i ka dhënë afat me 10 ditë FRD që të lirojë zyrat. Kryetari i FRD Sali Shehu në një deklaratë për shtyp tha se nuk ka ndërmend të lirojë zyrat deri në vendimin e Gjykatës.
Ndërsa tregoi para kamerave shkresën e dërguar nga bashkia ai theksoi se nëse ajo do të ishte dërguar më parë, situata e djeshme nuk do të kishte ndodhur.
"Këto nuk janë akte banditeske, nëse ky dokument do kishte ardhur ditën e parë s'do kishte ndodhur kjo ngjarje por do ishim në gjykatë duke e zgjidhur këtë situatë sipas ligjit. Ne jemi në godinë do vazhdojmë fushatën i njoftova të na lirojnë kushtet duke na lëshuar energjinë.
Do marrim vendimin e gjykatës si të vendosë gjykata do veprojmë. Me vendim të gjykatës do ecim. Më lejoni tu përqafoj tu jem mirënjohur për të gjithë mbështetjken që i keni dhënë FRD. Kjo ishte një përballje midis të mirës dhe të keqes", tha Shehu.
Një ditë më parë ndodhi një përplasje fizike mes Shehut, presidentit Ilir Meta me policinë dhe përfaqësues të bashkisë së Tiranës në zyrat e FRD.
Madje ata kanë hyrë me forcë në zyrat e FRD-së, ku nuk kanë munguar as kërcënimet nga kreu i shteëtit, duke u thënë policëve që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”. Kjo sepse sipas Metës, kërkesa e Bashkisë që FRD-ja të lirojë zyrat është me prapavijë politike.



